Donacionet, kryeministri i “shqiptarëve përtacë” dhe pak matematikë

Nga Edona Llukaçaj

 

Donacionet dhe suporti i çfarëdo lloji që shumë vende ofruan për Shqipërinë ishin ngazëllyese dhe mjaft të mirëpritura për vendin tonë.

Ideja se bota ndau me ne dhimbjen e tërmetit dhe se ndoshta nuk na ka dhe aq inat, sikur na i ngrohu zemrat.

Pashmangshmërisht, shumë e kanë dyshimin se edhe kjo mundësi për një rigritje të mirëfilltë, duke marrë spunto nga rindërtimi pas fatkeqësisë mund të ketë fatin e shumë projekteve paraardhëse, qoftë ekonomike, qoftë të të tjera fushave, të cilat kanë qenë viktimë e korrupsionit a minimalisht zvarritjes në vitet e çmendura të tranzicionit.

Ky dyshim, me sa duket, ka mbizotëruar të paktën edhe në qasjen e partnerit ndërkombëtar më të rëndësishëm të Shqipërisë, SHBA, të cilat ndihmën  e premtuar e fokusuan te “shkolla e transparencës”, një suport i vyer dhe kuptimplotë.

Teksa Shqipëria përgatitet për rindërtim, një prej pikave që u cek mjaftueshëm ishte pikërisht se si menaxhimi supozuar i ndershëm i këtyre fondeve do të kishte një ndikim pozitiv në të gjithë ekonominë tonë, një rimëkëmbje me vende pune të shtuara e kështu me rradhë.

Madje, në mungesë të elementit vendas a për të tjera arsye u diskutua edhe importimi i fuqisë punëtore deri nga Afrika.

Si për të përgatitur terrenin për një dyndje të punëtorëve ndërkombëtarë, kryeministri i vendit nënvizoi publikisht “përtacërinë” tonë. Në një prej debateve jo të rralla para kamerave me qytetarët e rastit iu hakërrye një të riu në një kafene se, me sa dukej, kërkonte punë në profesionin për të cilin ishte diplomuar, e nuk pëlqente çfarë ofronte tregu i tkurrur vendas. Një minidebat që përfundoi sërish me batutën klishe të javëve të fundit “po se je jurist ti/ ke mbaruar juridikun”.

Kryeministri ka të drejtë.  Puna është nder. Kushdo që fiton jetesën me punën e vet, me përpjekje, përtej faktit nëse bën një zgjedhje të vërtetë apo një zgjedhje të detyruar, është një pjesëtar i denjë i shoqërisë dhe meriton respekt. Për më tepër, këta shqiptarë, aq më shumë të rinjtë plot energji, që nuk denjojnë të bëjnë punë të etiketuara si të dorës së dytë në Shqipëri, duket të jenë të gatshëm, të bëjnë punë krejtësisht të rëndomta dhe pa lidhje me profesionin e tyre të dëshmuar me diplomë, sapo kalojnë kufirin.

Por fjalët sensibilizuese për të rinjtë e kafeneve, që do të ishin të pranueshme nga çdo qytetar shqiptar, të thëna nga kreu i qeverisë nuk kanë as kuptim e, fatkeqësisht, as peshë. Përtej mënyrës së komunikimit, që nuk është diçka e re, megjithëse na i vret veshët dhe i hap rrugën lojrave të fjalëve dhe propozimeve bombastike të politikës së rehabilituar nga vetë ai, përgjegjësia për nënvlerësimin e diplomës shqiptare dhe të diplomuarve që masin rrugët i përket, sot më shumë se kurrë, atij.

Me pak matematikë filloreje, kryeministri ka në këtë detyrë aq kohë sa parashikohet për një student të përfundojë dy “bachelor” ose të paktën një bashkë me masterin shkencor (+2), se po të ishte ndonjë fenomen i kabinetit kushedi sa e kishte bërë pirgun e diplomave.

E kjo kohë është më se e mjaftueshme për të përmirësuar politikat e arsimimit në çdo aspekt.

Mbi gjashtë vite mjaftojnë për të ndërtuar, rindërtuar a modernizuar çdo institucion arsimor të çdo niveli, për të ofruar laboratore, bibloteka e mjetet e tjera bashkëkohore të nevojshme për edukimin e brezit të ri, mungesa që nuk mbulohen me bojatisje muresh a me “shoshën” e librave falas.

Mbi 2300 ditë në pushtet, që nga 13 Shtatori i vitit 2013, duhet të jenë të mjaftueshme për të rishikuar nivelin profesional e qëndrimin moral të çdo anëtari të stafeve mësimore qoftë në shkollat 9-vjecare, në ato të mesme a në universitete. Pyetësorët me pikëzime për cilësinë akademike ndoshta  janë të lehtë-manipulueshme, por kaq ditë  duhet të mjaftonin të paktën për të eleminuar në çdo rang fenomenin faqe-nxirës e stomak-prishës të notave a të tjera lëshimeve bujare të ofruara nga pedagogë “shpirtmirë” në këmbim favoresh seksuale a një shume të hollash.

Plot njëzet e tre 100 ditësha aksioni, si ato shpresë-ndjellëset e dikurshme, do të mjaftonin për të rishikuar dhe ripërcaktuar kuotat e degëve në universitete, duke nxitur, për shembull, aplikimin dhe frekuentimin e degëve me mundësi punësimi më të lartë dhe duke kufizuar ndjeshëm me numër të ulët kuotash aplikimin në degët që prodhojnë kamarierë a frekuentues kafenesh me diplomë.

Me fjalë të tjera, në kaq kohë, në vendin me industri e prodhim thuajse joekzistent, për çfarë u bë pak ose aspak, në vendin ku papunësia ose punësimi informal dhe i keqpaguar vazhdon të jetë në arsyet kryesore dhe të paadresuara të emigrimit, mund të ishte bërë diçka të paktën për arsimin.

Donacionet e grantet mund të sigurojnë rindërtimin e të gjitha shkollave dhe institucioneve të edukimit në Shqipëri, por në një vend kur kryeministri nuk ka respekt as për diplomat që japin universitetet e vendit të tij dhe, njëkohësisht, përbuz e tall pamëshirshëm ekspertët e vet të drejtësisë të dalë nga këto shkolla se guxojnë të kërkojnë punë në profesion, lind pyetja përse po i rindërtojmë.

Më mirë t’i lemë shemben e të mbulojnë “llumin” e vet.

****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotim i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Back to top button
LAJMET E FUNDIT