Situata e zjarreve në Pukë përmirësohet, vatrat në Gjegjan të shuara, vijon monitorimi

Situata në vatrat e zjarrit në territorin e Bashkisë Pukë paraqitet më e qetë dhe vijon të mbahet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e angazhuara.
Në Njësinë Administrative Gjegjan, të gjitha vatrat e zjarrit janë izoluar dhe shuar, ndërsa Forcat e Armatosura së bashku me forcat operacionale vendore vijojnë monitorimin e perimetrit për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.
Në zonën Prozhëm–Shkozë, vatra ende aktive nuk paraqet aktualisht rrezik për banesat, por puna në terren vazhdon për izolimin e plotë të saj në të dy drejtimet, me angazhimin e Forcave të Armatosura dhe forcave operacionale vendore.
Ndërkohë, në malin Tërbun–Fushë Livadh po vijon verifikimi dhe monitorimi i perimetrit të vatrave të shuara plotësisht deri në këto momente.
Strukturat mbeten të angazhuara në terren pa ndërprerje, me fokus izolimin e plotë të vatrës aktive dhe parandalimin e riaktivizimit të vatrave të shuara, ndërsa monitorimi do të vijojë deri në garantimin e stabilitetit të situatës.