Në Vlorë shefi i qarkullimit rrugor dhe 9 persona kapen duke luajtur futboll

Shefi i qarkullimit rrugor të Vlorë dhe nëntë shokë të tij do të duhet që të kalojnë 14 ditë në karantinë, pasi thyen rregullat e vendosura nga autoritetet shtetërore për parandalimin e koronavirusit.
Agjentët e policisë i gjetën ata duke luajtur futboll në një fushë futbolli në pyllin e Sodës. U vendos që ata të karantinohen për 14 ditë, e do të mbahen nën mbikëqyrje nga ana e Policisë.
“Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullohet nga detyra Shefi i Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Komisar R. P., njëri nga pjesëmarrësit që luante futboll.
Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit nisi hetimi disiplinor për shkelje të rëndë, si dhe u bë pezullimi nga detyra i punonjësit të Policisë G. F., për mospërmbushje apo dështim në përmbushjen e detyrave ose përgjegjësive të caktuara, pasi konstatoi personat dhe nuk mori masë administrative ndaj këtyre shtetasve.”, njoftoi Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për qëndrim në banesë dhe respektim të masave kufizuese, duke bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.