Moska dhe Kosova

Shaqir Vukaj*

“Në qoftë se do flasim për çështjen shqiptare dhe problemin e Kosovës, ato për një kohë të gjatë kanë patur rëndësi të ndërvarur ne politikën ballkanike te Rusisë mbasi ajo, tradicionalisht, ka zgjedhur ortodoksinë, para së gjithash popullsinë sllave dhe shtetet përkatëse, gjë që përcaktohej nga popullariteti i doktrinës pansllaviste dhe humoret sllavofile në shoqërinë ruse dhe në qarqest politike”,  shkruan studiuesi i njohur i problemeve ballkanike, Zadohin.

Loading...

Duke ecur me këtë llogjike, sa herë ishte fjala për fatin e shqiptarëve e shtetit të tyre, të kufijve, apo kur shtrohej problemi i shqiptarëve në përgjithësi, Rusia mbështeste ato ndryshime, që ishin në favor të Serbisë dhe të Malit të Zi, apo Bullgarisë. Rusia, historikisht, ka qenë më aktivja ndër të gjitha Fuqitë e Mëdha për dhënien e tokave shqiptare me popullsi dominuese shqiptare shteteve sllave e, në rradhë të parë, Serbisë ( Traktati i Shën Stefanit, Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, etj).

Në qoftë se në shpërbërjen e Jugosllavisë në fillim të viteve .90-të Rusia mbajti një qëndrim pak a shumë neutral, krahas tjerave, nje rol të rëndësishëm,  ka luajtur fakti se të gjithë ata që ndaheshin, apo luftonin kundër njeri – tjertrit ishin sllavë.

Në këto kushte, megjithëse Rusia gjatë gjithë historisë moderne  ka qenë mbështetëse e përkrahëse e serbëve, gjithësesi ajo përpiqej të ruante një lloj ekuilibri midis popujve sllavë e shteteve  sllave që po krijoheshin.

Shaqir Vukaj

Në vitet 90-të  pozicioni i Rusisë ndaj çështjes shqiptare përsëri përcaktohej në rrjedhën e përgjithshme të politikës së saj ballkanike, si dhe ne traditat dhe stereotipet ekzistuese.

Në rastin e Kosovës e kërkesat e shqiptarëve, problemi shtrohej krejtësisht ndryshe. Për Moskën e politikën zyrtare të saj shqiptarët nuk kishin të drejtë ne kërkesat e pretendimet tyre, madje, ata jetonin si të “ardhur” në “tokën e shenjtë historike serbe“, se “ata kishin ardhur aty të ndihmuar nga Turqia e, më vonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ose ishin sjellë nga regjimi i Titos mbas kësaj lufte“. ”Shqiptarët ishin nacionalistë që vazhdimisht kishin krijuar trazira në Jugosllavi, se ata mund të quhen varrmihësit e Jugosllavisë, se ata kishin ndjekur vazhdimisht një politikë antiserbe“ etj. etj.

Në atë kohë unë kam qenë ambasador i Republikës së Shqipërisë në Federatën Ruse dhe kam mbajtur shënime në ditar ditë pas ditë, para fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi ish-Jugosllavi dhenë vijimësi, mbi baën e të cilave kam ndërtuar edhe librin “Rusia dhe Kosova”. Pa e zgjatur, ja çfarë kam shkruar nda dita e fillimit të bombardimeve dhe më pas.

Pjesë nga ditari

24.03.1999

Kryeministri i Rusisë, Primakov, që ishte nisur për vizitë në SHBA, mbas njoftimit zyrtar se NATO do të filloje bombardimet kundër Jugosllavisë, vendosi të mos shkojë në Vashington dhe në gjysmë të rrugës ktheu avionin nga ishte nisur, drejt Moskës. Sipas njoftimeve, nëpërmjet një bisede telefonike, zv/presidenti amerikan Al Gor, e ka njoftuar se, pavarësisht nga qendrimi i Moskës, NATO do të ndërmarrë aksione ushtarake kundër Jugosllavisë dhe ai, mbas bisedës telefonike me presidentin Jelcin, ndërpreu udhëtimin e planifikuar kohë më parë.

Vendimi i NATO-s e gjeti Moskën të papërgatitur. E gjeti pa një qëndrim të qartë e unik. Nervozizmi i shfaqur shumë herë nga Moska, tani duket me i ashpër e kërcënues.

Deklarimin e parë zyrtar e dëgjuam sot në mëngjes nga kryeministri Primakov, i cili, me t’u ulur në aeroportin e Moskës, dha një  intervistë. Megjithëse ai, në përgjithësi, njihet si një njeri i qetë e i përmbajtur, sot ishte mjaft nervoz e i papërqendruar dhe,  për pasojë, edhe mendimet nuk i kishte të qarta, ose, më mirë me thënë nuk i shprehte qartë. Sidoqoftë, ai ishte mjaft i egër, çka nuk është në natyrën e tij, e mjaft kërcënues.

Ndërmjet tjerave, ai tha se “Moska do të reagojë tepër negativisht”. Përdorimi i forcës – vazhdoi ai – nuk ka për të qetësuar situatën, përkundrazi, do ta acarojë më tepër dhe do të ketë shumë viktima të pafajshme. Ka të ngjarë që të prishet paqja e brishtë në Bosnjë etj.- përfundoi ai .

Mbas Primakovit, ministri i jashtëm Ivanov i dha një intervistë ekskluzive kanalit televiziv NTV, ku, ndërmjet të tjerave,  deklaroi se Moska është kategorikisht kundër bombardimeve të NATO-s. Sipas tij, ky është një agresion kundër një vendi sovran, shkelje e të gjitha normave të së drejtës ndërkombëtare dhe se ky hap do të sjellë pasoja tepër të rënda  në rajon e më gjerë.

Ndërkohë ai këshilloi autoritetet e Beogradit të tregohen të matura dhe të mos bien në “grackën e separatistëve  dhe terroristëve kosovarë”, të cilët, sipas tij, do të intensifikojnë veprimet e tyre provokuese. Më poshtë ai i bëri thirrje edhe një herë Beogradit,  të nënshkruajë planin e paqes të Grupit të Kontaktit.

Ivanovi (Ministri i Jashtëm) ka dhënë shumë intervista për problemin e Kosovës, por, siç u pa edhe sot, ai nuk e ka të qartë se, pavarësisht nga zhvillimi i situatave, cili do të jetë pozicioni i Rusisë, prandaj, mbasi foli e foli, e mbylli me fjalët “Më tej nuk mund të flas, sepse fjalën e fundit do ta thotë presidenti i Federatës, i cili drejton politikën e jashtme dhe është Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë”. Pra Ivanovi i lau duart…

Kryetari i Dumës Shtetërore (Dhoma e ulët e Parlamentit), i cili ndodhet për vizitë jashtë Rusisë, pyetjes së një gazetari iu pergjegj tepër shkurt dhe deklaroi se përdorimi i forcës kundër një vendi sovran pa sanksione të OKB-së, pa dyshim, vë në pikëpyetje ekzistencën e vetë kësaj organizate.

I ashpër e mjaft kërcënues ishte sot në mëngjes, Ministri i Mbrojtjes Sergejev, i cili, ndërmjet të tjerave, tha se “Në rast bombardimi do të merren masa adekuate”, pa sqaruar më shumë se për ç’lloj masash bëhet fjalë. Më poshtë ai vazhdoi:

“Në rast agresioni kundër Jugosllavisë, do të rishikohen marrëdhëniet e Rusisë me NATO-n e kontingjenti rus në Bosnjë do të dalë nga komanda e NATO-s dhe do t’i bindet vetëm komandës ruse. Rusia do të dalë nga regjimi i sanksioneve të armëve ndaj Jugosllavisë”.

Të gjitha mjetet e informacionit kanë në qendër të vëmendjes Kosovën. Që në mëngjes të gjitha stacionet televizive ruse transmetojnë direkt nga Beogradi për zhvillimet atje, për masat që po merren për të përballuar bombardimet etj.

Jepen pamje direkte nga mobilizimi i rezervistëve, veçanërisht i atyre që kanë shërbyer në repartet e mbrojtjes ajrore. Tërheq vëmendjen fakti se në të gjitha emisionet për këtë problem mburren serbët për “bëmat e tyre, për aftësitë luftarake, për trimëritë e tyre e qëndresën në rast fatkeqësish e, veçanërisht, gjatë luftërave shekullore që ata kanë zhvilluar në historinë e tyre” etj.

Në njoftime e lajme që jepen shprehet ende shpresë për zgjidhjen e problemit në rrugë paqësore. Në këtë kuadër, lavdërohen përpjekjet e Beogradit për të gjetur një zgjidhje të tillë.

Në lajme jepet në mënyrë të përmbledhur deklarata e Kryeministrit Jugosllav, Milutinoviç, i cili ndërmjet të tjerave tha se “Beogradi do të ishte dakord të nënshkruante marrëveshje për paqe, por jo me kushte të tilla, ku presidenti i Kosovës merr kompetenca më të mëdha se sa ato të presidentit serb ose jugosllav”.

Po sot, ambasadori jugosllav B. Millosheviç (vëllai i S. Millosheviçit) i ftuar në Dumën Shtetërore, bëri  këtë deklaratë  “Jugosllavia ka qenë dhe është dakord të nënshkruajë çfarëdo marrëveshjeje që do të merrte parasysh interesat kombëtare të saj, ajo është akoma gati ta bëjë një gjë të tillë, por, para fillimit të bombardimeve, nëse ato fillojnë…”.

Moska vazhdon përpjekjet me Beogradin për të shmangur bombardimet. Siç tha Ministri i Jashtëm, Ivanov, ajo po këshillon Beogradin që të nënshkruajë marrëveshjen politike të paraqitur në Rambuje e Paris e, në rast se ai e bën këtë, situata ndryshon…

Kryetari i komitetit të mbrojtjes pranë Dumës së Shtetit, Iljuhin, deklaroi se “Jugosllavia duhet ndihmuar”.

Sipas njoftimeve zyrtare që jepen, sot u mblodh Qeveria Ruse, në një mbledhje të zgjeruar, ku, krahas të tjerëve, morën pjesë drejtori i Shërbimit të Zbulimit, shefi i Zbulimit Ushtarak etj. Nga lajmet e transmetuara kuptohet se aty është propozuar për furnizimin e Jugosllavisë me armatime e teknikë ushtarake, por zv/kryeministri i parë Masljukov, u ngut të deklarojë publikisht se “Këtë e përcakton Këshilli i Sigurimit dhe jo Qeveria”.

Gjatë ditës, tensioni sa vjen e rritet. Pamjet që jepen direkt nga Beogradi, tashmë, tregojnë se atje po përgatiten për luftë. Thuhet se ka filluar regjistrimi i vullnetarëve që do të luftojnë kundër NATO-s. përsëriten më me ngulm njoftimet për aftësitë e ushtrisë jugosllave, e cila, sipas rusëve, është e aftë të përballojë çdo agresion.

Deklaratat e politikanëve kryesorë rusë bëhen më kërcënuese. Ministri i Jashtëm, Ivanov, përsëri doli para publikut me një deklaratë tjetër, ku, ndërmjet të tjerave, tha se “Sulmet e NATO-s kundër Jugosllavisë mund të fillojnë shumë shpejt. Vazhdojnë përpjekjet për të shmangur fillimin e goditjeve, të cilat mund të jenë fatale. Në rast të kundërt, do të merren masa si: dalja nga regjimi i embargos ndaj Jugosllavisë, rivendosja e raketave bërthamore në Bjellorusi” etj.

Kryetari i Komitetit të Jashtëm në Dumën Shtetërore, në një intervistë  tha: “Fillimi i bombardimeve mund të jetë fatal. Ai vë ballë për ballë, jo vetëm politikisht, por edhe ushtarakisht, NATO-n me Rusinë, çka është edhe hera e parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Me këtë veprim shkelen si e drejta ndërkombëtare , ashtu dhe Akti Themelor Rusi – NATO, i cili, ndër të tjera, detyron palët që të mos kërcënojnë njëra – tjetrën, ose edhe një vend të tretë, kur ky nuk  ka kryer agresion kundër një vendi tjetër. Duhet patur parasysh se Rusia nuk ka vetëm Ballkanin dhe interesa vetëm në Ballkan”.

Kryetari i Dumës Shtetërore Seleznjov, ishte edhe më i egër. Nga Parisi, ku është për vizitë, deklaroi se “Rusia duhet të shkëpusë të gjitha marrëdhëniet me NATO-n, të heqë në mënyrë të njëanshme embargon ndaj Jugosllavisë, të marrë masa për mbrojtjen e saj, t’i drejtohet popullit me thirje për të dalë vullnetarë në ndihmë të serbëve”.

Deklarata të tilla bëhen edhe në Minsk, aleati më i afërt i Moskës, ku  presidenti Llukashenko deklaroi sot se “Ai mbështet qëndrimin e Primakovit dhe veprimin e tij që u kthye nga vizita në SHBA, se Bjellorusia është e gatshme të ndihmojë Jugosllavinë” etj.

Në morinë e intervistave e deklaratave të shumta që u bënë sot gjatë gjithë ditës, shihet se në Rusi ka edhe ndonjë politikan realist, që i ndjek e i analizon ngjarjet më me gjakftohtësi. Por këta janë të pakët, tepër të pakët dhe, që nuk bëjnë pjesë në Qeveri, apo në organe vendimmarrëse me peshë për jetën e politikën e jashtme të Rusisë. Kështu, për shembull, ish – kryeministri i Rusisë, V.Çernomerdin, tha sot se “Duhet patur kujdes nga deklaratat në këtë situatë, kur nuk mungojnë emocionet, se jo çdo gjë ka mbaruar dhe se nuk duhet të vringëllijnë armët. Ç’kuptim kanë deklarata si ajo për rivendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi?” shtroi pyetjen ai.

Mjaft realist u tregua në intervistën e tij kryetari i lëvizjes “Jablloko”, Javlinski, i cili, ndër të tjera tha: “Ka disa që duan ta fusin Rusinë në luftë” dhe me poshtë përmendi Partinë Komuniste, Partinë Liberal-Demokrate të Zhirinovskit, zv/kryeministrin Masljukov, disa gjeneralë etj. Ai u shpreh haptazi se nuk ishte dakord me veprimin e Primakovit që nuk shkoi në SHBA, ku, sipas tij, do të kishte mundësi të shprehte pikëpamjen e Qeverisë së tij dhe të bindte ata që janë  për ndërhyrje ushtarake, se ky është një veprim fatal.”

Sot doli para publikut edhe ish – presidenti i fundit i BRSS, M. Gorbaçov, i cili në mënyrë të përmbledhur tha:

– Me vendimin e marrë nga NATO spostohet OKB-ja, gjë që e dëshirojnë amerikanët

– Përpjekja për t’i imponuar luftë një vendi të pavarur, i cili ka probleme të brendshme, është agresion. Po të veprohej kështu me të gjitha ato vende që kanë probleme të tilla, do të ktheheshim përsëri tek Lufta e Ftohtë.

– Unë mbështes vendimin e Primakovit që ndërpreu, pa filluar, vizitën në SHBA  dhe mbështes, në përgjithësi, politikën e ndjekur prej tij.

– E konsideroj si të domosdoshëm dialogun me SHBA-në dhe vendet e tjera të NATO-s.

– Amerika ka nevojë për Rusinë, mbasi Rusia ka përvojë të madhe politike, dhe se tani SHBA-së i merren mendtë nga fitorja, ç’ka është më keq se kur të merren nga humbja.

– Millosheviçi duhet të nënshkruajë marrëveshjen politike dhe t’i kthejë Kosovës autonominë për të ndrequr gabimet që ka bërë.

Sonte rreth orës 19 (ora e Moskës) presidenti i Federatës Ruse, B. Jelcin,  nëpërmjet teleekranit iu drejtua opinionit ndërkombëtar me thirrjen për të ndaluar Klintonin nga ndërmarrja e goditjeve  kundër Jugosllavisë. Në fjalën e tij, në thelb, ai tha: “Kam biseduar sot me Shirakun dhe Klintonin. Tani po i drejtohem gjithë opinionit ndërkombëtar, botës mbarë, njerëzve që kanë provuar luftën dhe goditjet, politikanëve, se duhet të bëjmë ç’është e mundur për të ndaluar Klintonin të bëjë këtë hap tragjik, këtë hap dramatik, që mund të shndërrohet në një luftë në Evropë e më gjerë. Akoma më i pakuptueshëm bëhet ky hap, kur bëhet pa sanksionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Bisedimet me Beogradin duhen vazhduar. E di që Millosheviçi është një bashkëbisedues i vështirë. Me të duhet folur jo një herë  e dy, por pesë, dhjetë e, ndoshta, njëzet herë. Pra nuk duhet të kursehemi të bëjmë këto bisedime me të, qofshin dhjetë apo njëzet, kur mund të shpëtojmë jetën e qindra e qindra vetëve. Ju lutem të bashkoheni të gjithë me indinjatën e Rusisë. Ne, nga ana e jonë po bëjmë gjithçka për të ndaluar këtë hap. Por nuk mundemi gjithçka, do me thënë ne mundemi, por nuk na e lejon ndërgjegjja. Ta ndalim Klintonin në rrugë, që mos ta bëjë këtë hap”

Menjëherë mbas njoftimit të parë për fillimin e bombardimeve kundër objekteve ushtarake jugosllave, zyra e shtypit e presidentit Jelcin shpërndau një deklaratë në emër të tij. Në deklaratë, ndërmjet tjerave, thuhet :

“Në rast se konflikti ushtarak zgjerohet, Rusia, i rezervon vetes të drejtën të marrë masa adekuate, përfshi dhe ato me karakter ushtarak, për të garantuar sigurinë e vet dhe atë mbarëevropiane”

Më poshtë, në deklaratë, goditjet cilësohen si agresion i hapur kundër një vendi të pavarur. Njëkohësisht kërkohet ndërprerja bombardimeve, thirrja e menjëhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së etj. Tërheq vëmendjen paragrafi i mëposhtëm, i shkëputur nga kjo deklaratë “Fjala është për tentativën e NATO-s për të hyrë në shekullin  XXI me uniformën e xhandarit botëror. Rusia nuk do të pajtohet kurrë me këtë”.

Dua t’i mbyllë shënimet e sotme me një pohim interesant të studiueses më të  njohur ruse për çështjet e Jugosllavisë, Prof. Dr. E. Guskova, e cila, duke iu referuar një studimi të Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve Sociologjike, të organizuar dje më 23 mars, ndërmjet të tjerave, shkruan: Sipas një sondazhi të kryer për problemin e Kosovës në 21 rajone të Rusisë, rezulton se 82 për qind e të pyeturve iu përgjigjen pozitivisht pyetjes në se e ndjekin situatën në Jugosllavi. Prej tyre, 51 për qind janë shprehur të sigurtë se,  fajtore për acarimin e situatës në Kosovë janë separatistët shqiptarë. Pyetjes se “A e aprovoni dislokimin e trupave të NATO-s në Kosovë?”, 94 për qind iu përgjigjen “Jo”., 97 për qind e të pyeturve janë shprehur kundër përdorimit të forcës ndaj Serbisë,. 91 për qind e të pyeturve kanë mbështetur serbët në konfliktin e Kosovës,. 74 për qind e tyre janë shprehur të gatshëm të marrin pjesë direkt në ndihmë të Serbisë dhe 30 për qind e tyre janë shprehur se janë gati të ndihmojnë Jugosllavinë me të holla, ndërsa 42 për qind e tyre janë gati të shkojnë në Jugosllavi si vullnetarë.

Këto shifra nuk kanë nevojë për komente. Ato flasin qartë për opinionet që tentohet të krijohen këtu nga historianë e Qendra Studimore, në mbështetje të politikës proserbe të Rusisë…

Shifra të tilla nuk i beson askush.

*Ish-ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse

Loading...
Back to top button