“Shteti dështoi”, 176 pallate dhe 701 banesa të dëmtuara në Durrës

176 pallate dhe 701 banesa janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit vetëm në Durrës, sipas vlerësimit paraprak.
12 janë shkatërruar plotësisht, ndërsa të tjerët do ti nënshtrohen vlerësimit të ekspertëve për të vendosur nëse do të shemben.
Ata që kanë humbur investimet e jetës, akuzojnë shtetin se dështoi si kontrollor i cilësisë së ndërtimeve.
Ky është e një nga pallatet e Durrësit të dëmtuar më rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në vlerësimin e parë është shpallur i pabanueshëm, por fjalën e fundit për gjendjen e tij do ta thonë ekspertët që të premten zbritën në terren.
Aty banojnë mbi 200 familje të cilët siç tregojnë edhe këto pamje thonë se kanë humbur gjithçka por fatmirësisht shpëtuan jetën.
“Me fat që jemi gjallë. Kur kalon kjo pastaj ajo që mbetet për tu menduar prapa është investimi i jetës”, thonë banorët.
Me ankth e pasiguri presin fjalën e ekspertëve për vlerësimin e dëmeve, ndërsa nga qeveria kërkojnë kompensim të plotë.
Pas evidentimit paraprak në të gjithë qytetin janë 176 pallate dhe 701 banesa të dëmtuara, nga të cilat 12 të shkatërruara totalisht.
Dëmtimet i cilësojnë tregues të punimeve të dobëta, por akuza kanë për shtetin që dështoi si kontrollor.
“Duke qenë se shumica e tyre kanë dalë jashtë projekteve të marrjes së lejeve, ky është faji i shtetit dhe përgjegjësia e shtetit”,thonë ata.
Ekspertë të huaj mësohet se kanë nisur vlerësimin e objekteve për të vendosur se kush është i rrezikshëm dhe më pas do të shembet.