Shqiptarët kundër ndryshimit të simboleve të Malit të Zi
Nik Gjeloshaj ka thënë se janë edhe kundër iniciativës që veprat e Njegoshit dhe Danilo Kishit të eliminohen nga programi arsimor në Mal të Zi.
Kryetari i Alternativës shqiptare dhe funksionar i koalicionit “Shqiptarët e vendosur” Nik Gjeloshaj ka bërë të ditur se subjektet politike shqiptare, të cilat participojnë në pushtet, nuk kërkojnë ndryshimin e simboleve shtetërore të Malit të Zi, transmeton RTCG. Ai ka thënë edhe se koalicioni i tyre nuk do të mbështesë iniciativën e Partisë boshnjake që simbolet islame të përfshihen në simbolet shtetërore malaziase.
Gjeloshaj për gazetën “Dan” (Dita) ka thënë se jane edhe kundër iniciativës që veprat e Njegoshit dhe Danilo Kishit të eliminohen nga programi arsimor në Mal të Zi.
“Shqiptarët nuk kanë kërkesë për ndryshimin e flamurit, sepse flamuri zyrtar u Malit të Zi respektohet nga shqiptarët. Ai është shprehje e Malit të Zi shumicë dhe ne e respektojmë këtë. Shqiptarët në Mal të Zi dhe kudo që jetojnë kanë flamurin e tyre kombëtar dhe po ashtu edhe atë shtetëror në Mal të Zi. Mendoj se kërkesa e Partisë boshnjake nuk është i mirë ndaj Malit të Zi. Shqiptarët nuk e kuptojnë dhe nuk e mbështesin lidhjen e fesë me kombin e flamurin”, ka porositur Gjeloshaj, transmeton gazetametro.net.
Ai ka thënë se veprimi i Kishës ortodokse serbe dhe kërkesa e Partisë boshnjake janë të ngjashëm.
“Ashtu siç mendojmë se duhet hequr kishën nga Rumia, parimisht jemi edhe kundër Partisë boshnjake për ndryshimin e flamurit dhe kërkesave tjera në lidhje me Njegoshin e Kishin. jemi të gatshëm të marrim pjesë në bisedime mbi të gjitha çështjet e hapura, sikundër që kemi dhënë kontribut që Mali i Zi të jetë i pavarur dhe anëtar i NATO-s. Kontributi i mëtejmë do të jetë i padilemë kur janë në pyetje shqiptarët”, ka thënë Gjeloshaj/ZgjohuShqiptar.info