Ka folur vërtet Pompeo për tërmetin, “KÇK” dhe minishengenin (?!)

Edi Rama ka takuar pasditen e së enjtes sekretarin Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, gjatë vizitës së tij në SHBA, ku ka shkuar në cilësinë e Kreut të Misionit të OSBE-së.
Por me sa duket kryeministri po e shfrytëzon rolin ndërkombëtar që i është dhënë Shqipërisë, për të bërë propagandë për veten.
Në njoftimin që ai ka bërë menjëherë pas këtij takimi, Rama jep përshtypjen sikur ka marrë viston amerikane për aksionet e fundit në Tiranë si amortizimin e pasojave të tërmetit, luftën ndaj krimit dhe nismën e përbashkët me Vuçiçin për të dominuar Ballkanin në dëm të Kosovës.
“Në zyrën e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për Rindërtimin, paketën AntiKÇK, Shengenin Rajonal dhe dialogun Kosovë – Serbi, si edhe sfidat e përbashkëta të aleancës sonë strategjike, ku Shqipëria mbetet besnikërisht e lidhur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruajti ai në Facebook.
Por një krahasim i shpejtë i atyre që thotë Rama me ato që ka thënë sekretari i shtetit, dëshmon për divergjenca të theksuara.
“Mirënjohës për partneritetin tonë të palëkundur si aleat te Shqipëria dhe rolin e saj të lavdërueshëm si drejtues stabiliteti në Ballkanin Perëndimor” ishin fjalët e Pompeos pas takimit, ku nuk përmendej asgjë, as për ndihma pas tërmetit, as për KÇK, as për mini Shengenin.
Po atëherë cili nga të dy versionet është më pranë së vërtetës?
Për të zbuluar atë, “Zëri i Amerikës”, ka pyetur zëdhënësen e departamentit të shtetit Morgan Ortagus, e cila konfirmoi se Rama ishte ftuar në cilësinë e kryesimit nga Shqipëria të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
“Sekretari Pompeo gjithashtu përgëzoi Kryeministrin për angazhimin e palëkundur të qeverisë së tij për kontributin në aleancën e NATO-s, për kundërvënien ndaj veprimtarive keqdashëse të Iranit dhe për rolin udhëheqës në rajonal në mbrojtje të rrjeteve të komunikimit 5G“, i ka thënë Morgan Ortagus, Zërit të Amerikës.
Pra shkurt Pompeo nuk ka folur për ndihma pas tërmetit, për KÇK, apo për mini Shengenin.
