Temperaturat e larta dhe të sëmurët kardiakë, mjekët: Shmangni vapën dhe mos ndërprisni terapinë

Temperaturat e larta të kësaj vere po shoqërohen me një rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, veçanërisht atyre që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare. Në Poliklinikën e Specialiteteve në Shkodër, por edhe në repartin e Kardiologjisë në Spitalin Rajonal, fluksi i pacientëve është rritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit. Sipas mjekëve, shumica paraqiten me shqetësime tipike të shkaktuara nga temperaturat e larta.
“Rrezikuar janë një kategori e caktuar personash. Janë moshat e vjetra. Njëkohësisht janë të sëmurët të cilët vuajnë me probleme të zemrës, tregojnë një rëndim të gjendjes në këtë periudhë, mund të jetë një dhimbje gjoksi, një vështirësi për marrje fryme. Pacientët pra që ekspozohen për një kohë të gjatë në temperatura të larta mund të kenë marramendje, por ndjejnë edhe rrahje të shpeshta.” u shpreh mjeku, Edi Smajlaj, Mjek kardiolog
Po sipas specialstëve të kardiologjisë me kujdesin e duhur dhe respektimin e këshillave mjekësore, edhe personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës mund ta përballojnë stinën e verës pa probleme serioze dhe të zhvillojnë një jetë normale.
“Edhe në temperaturat e larta, një pacient qoftë edhe ai që vuan nga problemet e zemrës mund të ketë një jetë normale. Konsumimi i sasisë së mjaftueshme të lëngjeve është i domosdoshëm – duhet të pinë ujë edhe atëherë kur nuk kanë etje. Nëse vërejnë ndryshime të gjendjes, këta pacientë në asnjë mënyrë nuk duhet të ndryshojnë dozën ose ta ulin dozën me dëshirën e vet, por duhet të këshillohen me mjekun përpara.”
Krahas Kardiologjisë edhe shërbimi i Neurologjisë është ndër repartet ambulatore me fluksin më të lartë të pacientëve në Poliklinikën e Specialiteteve në Shkodër gjatë kësaj periudhe, çka sipas mjekëve lidhet drejtpërdrejt me ndikimin që temperaturat ekstreme kanë në shëndetin e qytetarëve.