Humbi jetën në aksident, përcillet sot për në banesën e fundit gazetari Enrik Mehmeti

Gazetari Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht një ditë më parë në një aksident pranë zonës së plazhit në Zvërnec, do të përcillet sot për në banesën e fundit.
Sipas njoftimit mortor të publikuar nga familja, ceremonia e varrimit do të zhvillohet sot, të dielën, më 19 korrik 2026. Nisja e kortezhit do të bëhet në orën 12:00 nga banesa e të ndjerit në lagjen “7 Pallatet”, drejt Teatrit “Petro Marko”. Varrimi do të kryhet në Varrezat e Vlorës, në orën 14:00.
Sipas njoftimit të Policisë së Vlorës, Mehmeti po lëvizte me një motomjet me katër rrota, kur, për arsye ende të paqarta, humbi kontrollin e mjetit, duke u rrokullisur disa herë. Përplasjet në pjesët metalike të motomjetit rezultuan fatale për 40-vjeçarin.
Me të udhëtonte edhe një 18-vjeçar, i cili mbeti i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.