Hetimet për dhunimin e varreve arrijnë tek organizata “Omonia”

Skandali i Boboshticës

Muratori Alqi Koroveshi tregon se kush e pagoi për punën

Muratori ndaj të cilit ka nisur ndjekja penale për dhunimin e varreve të Boboshticës ka pohuar para grupit hetimor se është paguar nga organizata e minoritetit grek “Omonia”. Alqi Koroveshi, 44-vjeçari nga fshati Polenë, i cili u punësua për të bërë punimet me beton në pjesën e varrezës ku ndodhet memoriali për ushtarët grekë, bëri të ditur për grupin hetimor se kanë qenë përfaqësues të “Omonias” së Korçës ata që e kanë kontaktuar për të bërë disa punime. “Jam paguar nga ‘Omonia’. Ata më thanë të bëja punimet”, ka pohuar dje 44-vjeçari përpara oficerëve të policisë gjyqësore. Zyrtarisht vetëm emri i 44-vjeçarit është bërë i ditur si person nën hetim nga organet e rendit, të cilat ia kanë kaluar materialet prokurorisë së rrethit për nisjen e çështjes penale për dhunimin e varrezave të Boboshticës.

Burime të prokurorisë së rrethit, por edhe të policisë kanë konfirmuar se Alqi Koroveshi ka sqaruar gjatë marrjes në pyetje se është kontaktuar nga përfaqësues të “Omonia”-s, e cila do të kryente një investim në varrezat e Boboshticës për ndërtimin e rrugës deri në afërsi të kryqit. Punëtori nuk ka treguar se sa ka qenë vlera e investimit, por ka përmendur vetëm pagesën me ditë pune për punimet e kryera me beton, ndërsa, sipas tij, kanë qenë përfaqësuesit lokalë të kësaj organizate që i kanë kërkuar të bëjë punime. Nga ana e saj, Prokuroria e Rrethit të Korçës ka zgjeruar grupin hetimor dhe pritet të merren në pyetje dhe të përfshihen nën hetim edhe përfaqësues të kësaj organizate.

Burime zyrtare pranë organit të akuzës bënë të ditur se janë disa hetues të angazhuar me këtë çështje dhe nën hetim do të përfshihet edhe organizata “Omonia”. Për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor, nga ana e organit të akuzës nuk janë bërë të ditur emra të personave që janë përmendur gjatë marrjes së deklarimeve nga banorët dhe nga dëshmitarë të tjerë.

Prokuroria e Korçës nuk ka dhënë informacion as për funksionet e personave që pritet të përfshihen nën hetim për dhunimin e varreve të Boboshticës, por konfirmohet se hetimi nuk do të përjashtojë as organizatën “Omonia”, që deri më tani, sipas të dhënave, rezulton të ketë qenë edhe nismëtarja për kryerjen e ndërtimit të një shkallareje, një rrugice të betontë dhe një platforme në bazamentin e kryqit të bardhë në varrezat e Boboshticës. Këto punime janë kryer mbi varret e vjetra, tetë prej të cilave janë mbuluar me beton, ndërsa dy janë dëmtuar në atë masë, sa eshtrat e të vdekurve kanë dalë nga dheu.

Muratori që ka bërë punimet në këtë varrezë ka refuzuar të përgjigjet nëse ka parë eshtra gjatë punës. “Nuk kam parë eshtra sa kam qenë duke punuar”, ka deklaruar Alqi Koroveshi.

Burime pranë policisë thanë se kanë tentuar të kontaktojnë me kryeplakun e fshatit Boboshticë, i cili i ka dhënë leje “Omonia”-s të kryejë punimet në varrezë. Ndërkohë, nuk ka asnjë konfirmim nëse në hetime është përfshirë edhe kisha, e cila ka nën administrim territorin ku ndodhet varreza dhe memoriali i ushtarit grek.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT