Fatos Lubonja i fyen, ofendon dhe risjell parullat shoviniste greke e serbe kundër shqiptarëve

Nga Ardian Muhaj

Fatos Lubonja duke nxitur Albin Kurtin që ta shfrytëzojë shansin historik për të hapë një epokë të re në kulturën e qeverisjes së shqiptarëve, bash në vigjilje të përkujtimit të sakrificës sublime të Jasharajve, lëshon fyerje e ofendime raciste kundër shqiptarëve si popull. Na quan infantilë, dhe të paaftë për asgjë. Ai Lubonjë që na flet përherë për nevojën e largimit nga nacionalizmat, për të drejta njerëzore, për mite. Dhe është shumë korrekt. Asnjëherë nuk ka fyer ndonjë popull me sa di, përveç shqiptarëve.

Shqiptarët, Lubonja i fyen, i ofendon, risjell e ringroh parullat shoviniste greke e serbe. Nga pozitat e cilit nacional-shovinizëm i boton fyerjet e tij antishqiptare Lubonja nuk është e lehtë të kuptohet. Duke qenë vllah mund të supozohet një shtysë, por kjo vetëm do të na pështjellonte. Ka vllehë plot dhe jam i sigurtë se shumica e vllehëve nuk i mbështesin tezat shoviniste të Lubonjës. Ka natyrisht vllehë që i përkrahin dhe mund t’u duken trendi, sikurse u duken edhe ndonjë shqiptari që nuk e kupton se ato qëndrime janë të tilla.

Pasi përdor emrin e Albin Kurtit sa për të hyrë në muhabet, numëron kundërshtarët e tij duke përfshirë një kategori shqiptarësh sjelljet dhe qëndrimet e të cilëve si në Kosovë edhe në Shqipëri, “kanë bërë që shqiptarët të mbeten infantilë, të mos zhvillojnë dot mendimin kritik dhe bashkë me të edhe personalitetin, dinjitetin dhe ndjenjën e lirisë të vetes dhe bashkësisë, së cilës i përkasin.”

Madje duke menduar se njëherë nuk mjafton, e përsëritë dhe e rithekson të njëjtin ofendim dhe fyerje të hapur për popullin të cilin nuk i përket. E të mos i përkasësh një populli është gjëja më e natyrshme. Duke i përkitë një populli ne natyrshëm nuk u përkasim qindra popujve të tjerë në botë. Por kjo nuk na jep të drejtë të fyejmë e ofendojmë atë popull të cilit nuk i përkasim. Madje nuk bën të fyejmë e ofendojmë as popullin të cilin e përkasim. Kushdo që është i pakënaqur me popullin e vet, ka qindra alternativa në botë, pa pasë nevojë që të shkrihet në fyrje, ofendime e racizma.

Pra, sipas Lubonjës “edhe mënyra arrogante, me të cilën Grenell kërcënoi një qeveri të sapokrijuar, e ka burimin e parë tek infantiliteti i shqiptarëve.” Krejt qartë. Lubonja rikthen sërish fyerjet e Cvijicit e shumë publicistëve serbë që i paraqisnin shqiptarët të padenjë për të jetuar si popull, si njerëz me bisht, infantilë.

Nuk dua t’ia vë në dukje gabimet logjike në trajtimin e antiamerikanizmit të tij dhe as argumentet rrap-çap nëpër shkrim që përplasen si gogla me njëri-tjetrin. Thjesht dua t’i kujtoj Lubonjës se ky popull që ti e përçmon si infantil, ndaj të cilit shpreh mllef racist, një ditë nuk do të tolerojë më, dhe nuk do të përtojë me ta kopsitë një padi morale nëpër organizmat që ti vetë i ke mjelë e vjelë paq.

Se nga buron ky qëndrim i tij, nuk ka rëndësi. Thjesht ka rëndësi t’u sqarohet atyre pak shqiptarëve që janë ngazëllyer me shrkimin e tij, se edhe të ngazëllehesh me atë shkrim edhe të përkujtosh Jasharajt po të njëjtën ditë, është me të vërtetë infantile.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT