Incidentet pas Elbasani–Vllaznia, Shoqata e Arbitrave: Asgjë nuk e justifikon dhunën

Shoqata “Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit” (BASHF) ka reaguar pas incidenteve të raportuara në përfundim të ndeshjes Elbasani–Vllaznia, duke dënuar aktet e dhunës dhe presionit ndaj trupës së arbitrimit.

Reagimi i BASHF vjen pas raportimeve për një incident në ambientet e dhomave të zhveshjes, ku arbitri anësor Ergys Spahiu dyshohet se është dhunuar nga presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.

Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, Shoqata e Arbitrave thekson se asnjë vendim i gjyqtarit, pavarësisht nëse konsiderohet i drejtë apo i gabuar, nuk mund të justifikojë dhunën, kërcënimet apo presionin ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

“Asnjë vendim i arbitrit, i drejtë apo i gabuar, nuk mund të justifikojë dhunën, kërcënimet apo presionin ndaj zyrtarëve të ndeshjes”, thuhet në reagimin e BASHF.

Shoqata ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e saj për trupën e arbitrimit, veçanërisht për asistentin dhe zyrtarët e ndeshjes që janë përfshirë në incident.

Sipas BASHF, raste të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e gjykimit, pasi vendosin trupën e arbitrimit nën presion.

“Ngjarje të tilla ndikojnë në cilësinë e gjykimit, pasi vendosin nën presion trupën e arbitrimit”, thekson Shoqata.

Në përfundim të deklaratës, BASHF nënvizon se dhuna dhe presioni nuk kanë vend në futboll, duke deklaruar se do të vijojë të mbrojë integritetin, dinjitetin dhe sigurinë e arbitrave shqiptarë në çdo kategori dhe stadium.

“Dhuna nuk është pjesë e futbollit. Presioni nuk është pjesë e arbitrimit. Respekti për arbitrin është respekt për lojën”, përfundon deklarata.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT