Forumi i Trashëgimisë në Kongresin e Lushnjes: Ndërhyrje emergjente
LUSHNJE – Duhet ndërhyrje urgjente e qeverisë shqiptarë për restaurimin e Shtëpisë së Kongresit të Lushnjes. Është ky apeli i përbashkët i përfaqësuesve të forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, të cilët vizituan sot godinën ku u mbajt Kongresi i Lushnjes në janar të vitit 1920.
Anëtarët e Forumit, Auron Tare, Anila Basha njëherësh drejtoreshë e së përditshmes SHQIPTARJA.com, arkitekti ekspert për Tashëgiminë Kulturore, Artan Shkreli, të shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë Lushnje, morën këtë iniciativë të nxitur nga bërja publike në media e gjendjes aktuale të kësaj godine.
Në një deklaratë për mediat pas vizitës së kryer në ambientet e Shtëpisë së Kongresit të Lushnjes, përfaqësuesja e Forumit të Mbrojtjes të Trashëgimisë Kulturore, Anila Basha është shprehur se “kemi ardhur këtu si forum për t’i dhënë asistencën e për të parë se çfare nevoje urgjente ka prandaj edhe mesazhet tona nuk janë se ne do gjejme këto lekë. Ne duhet të ndihmojmë bashkinë të bëjmë presionin organizmave të caktuara për të pasur një reaksion sa më të shpejtë, për ta kthyer këtë monument shumë të rëndësishëm në gjendjen e mëparshme”.
Sipas arkitektit Artan Shkreli kjo godinë është numër 1 e Shqipërisë sonë dhe këtë godine po e humbasim para indiferencës së politikës dhe nacionalizmit bosh, merren me retorika boshe, te cilat nuk i shërbejnë realisht askujt.
Ndërsa kryetari bashkisë Lushnje, Fatos Tushe është shprehur se “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës duhet të marrin përgjegjësitë që i takojnë duke mos e lënë të rrënohet më tej kjo shtëpi ku është zhvilluar një nga ngjarjet më të rëndësishme historike të kombit tonë”.
Nga ana e tij, Auron Tare u shpreh: “Ne jemi nje grup i madh vullnetarësh që duhet të tërheqim vëmendjen e institucioneve shtetërore se fundi fundi ne s’jemi vendimarrës”.
Pothuasje e degraduar, Shtëpia e Kongresit të Lushnjes është amortizuar tërësisht, lagështira ka veshur pothuajse të gjitha muret e brendshme dhe ato të jashtme, ndërsa si pasojë e mungesës së restaurimeve reshjet e shiut hyjnë brenda pa asnjë lloj pengese. Shtëpia e Kongresit të Lushnjes nuk njeh ndërhyrje rikonstruksioni që prej vitit 1970.
Kongresi i Lushnjës çeli punimet në 23 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një Këshill Kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.
Godina është ndërtuar që në vitin 1840, por funksionaliteti i saj i plotë ka mbetur në mëshirë të fatit, që shpesh herë organet kopetente e kalojnë me një justifikim të zakonshëm: “Thjesht nuk kemi fonde”.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.