Deputeti gjerman: Hapja e negociatave me Shqipërinë, i shërben edhe BE-së
Metin Hakverdi, deputet socialdemokrat i Bundestagut gjerman vizitoi Parlamentin shqiptar, kur opozita kishte bllokuar foltoren e Kuvendit.
Por pas takimin me kreun e Grupit Parlamentar socialist deklaroi se është pro çeljes së negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.
Deputeti i partisë që bashkëqeveris Gjermaninë në koalicion me CDU e CSU, thotë se integrimi i Shqipërisë dhe Ballkanit i shërben edhe vetë unionit.
“Muajin tjetër pritet një vendim i madh, i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për unionin. Socialdemokratët gjermanë gjithmonë kanë insistuar në zgjerimin e BE dhe proceset integruese të Shqipërisë.
Pasi ky nuk është një vendim që i bën nder vetëm Shqipërisë, por dhe unionit.
Është një nder për të gjithë ne dhe duhet të bëjmë gjënë e duhur.
Ne do të bëjmë gjithçka që kjo gjë të ndodhë muajt e ardhshëm dhe që të vijojë progresi në të ardhmen”.
Gjermania nuk ka ende një qëndrim zyrtar për votën e saj për çeljen e negociatave për Shqipërinë.
Por javët e fundit, disa deputetë gjermanë të partive të ndryshme të Bundestagut kanë vizituar Tiranën për të diskutuar pikërisht për këtë çështje./ZgjohuShqiptar.info