Largimi si mënyrë proteste

Protestat e vazhdueshme në vend, zakonisht të zhvilluara nga partitë politike sa herë janë në opozitë duhet thënë që nuk ja kanë dalë të frymëzojnë shqiptarët.
Kjo nuk ka lidhje shumë me pjesëmarrjen ose jo në protesta, por më shumë se aq nëse këto bindin qytetarët për vërtetësinë e kauzave të tyre. E këtë nuk e ka bërë dot asnjëra prej partive, kushdo qoftë prej tyre që ka qenë në opozitë, sepse protestat i bëjnë vetëm kur janë në opozitë.
Duke qenë në këtë terren të mbytur nga mungesa e besimit, një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë vendosur që të bëjnë një tjetër lloj proteste, atë të largimit. Të pakënaqur nga asnjë prej palëve politike shumë shqiptarë, me mijëra duhet thënë kanë lënë vendin dhe kanë emigruar në vendet perëndimore.
E kjo është padyshim një lloj proteste që ata që largohen e bëjnë kundër politikës dhe pushtetit të vendit.