Lutja e Haradinajt: Albin, mos e hiq taksën për lavde të ndërkombëtarëve

Ramush Haradinaj i është drejtuar me një letër të hapur Albin Kurtit ku i lutet që për hir të mbështetjes së disa ndërkombëtarëve të mos e heqë taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

“Mos e hiq taksën Albin! Mos u tërhiq për disa poena të përkohshëm që mund t’i fitosh nga bashkësia ndërkombëtare. Miku që është mik i vërtetë të do e të ndihmon me lavd, por edhe me kritika. Nëse nuk jemi të zotët e vetes nuk na do as miku”, shkruan Haradinaj.

Albin Kurti nuk e ka përjashtuar heqjen e taksës, duke deklaruar se ajo do të zëvendësohet me reciprocitet ekonomik e politik ndaj Serbisë. Por, ish-Kryeministri Haradinaj paralajmëron se pasaardhësi e tij po fsheh pas termit “reciprocitet” heqjen e taksës që dobi i sjell vetëm Beogradit.

“Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë Eurove për Serbinë, shtetin i cili të ka rrahur e të ka torturuar. Shtetin, që me paratë e popullit të Kosovës blen armë në Rusi. Të lutem, mos e kamuflo këtë vendim sovran me terma të mjegullta siç është “reciprociteti”. Rikonsideroje vendimin Albin. Ne mund të vazhdojmë të mos pajtohemi. Për këto mospajtime sovrani ka dhënë verdiktin më 6 Tetor, por kjo është një temë më e madhe se sa një grusht vota”, vijon më tej Haradinaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT