Gjermania kushtëzon negociatat: Varen nga funksionimi i Parlamentit

Pak kohë nga marrja e rekomandimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë, Gjermania thotë se procesi varet nga “funksionimi i institucioneve demokratike dhe i punës parlamentare.” Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, shtoi se vendimi për hapjen e negociatave do të merret pas publikimit të raport progresit të Komisionit Europian.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë ftuar në Berlin më 29 prill liderët e Ballkanit.
Duke shpjeguar arsyen e ftesës së kancelares Merkel dhe presidentit Macron, Seibert tha se ata dëshirojnë të flasin me “bashkëbiseduesit e tyre për sfidat e veçanta në rajon dhe në radhë të parë për dialogun Serbi-Kosovë.”
Zëdhënësi nuk pranoi të thoshte asgjë për pritshmëritë nga konferenca, por shtoi se takimi “është fryt i mëtejshëm i interesimit të thellë që ka Gjermania për zhvillimin pozitiv të Ballkanit Perëndimor.”