Vetëvendosje proteston për veriun, ndërpritet seanca e Kuvendit
Kuvendi i Kosovës ndërpreu për pak minuta punimet në seancën plenare të së enjtes, për shkak të protestës së deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje, të cilët në hyrje të seancës mbanin në duar një pankartë me mbishkrimin Selver Haradinaj, Enver Zymberi, në përkujtim të dy shqiptarëve të vrarë në veri të Kosovës nga serbët.
Kjo protestë erdhi për shkak se të dielën e shkuar në një sulm eksploziv në veri të Mitrovicës, në zonën “Tre Rrokaqiejt” mbeti i vrarë shqiptari Selver Haradinaj, ndërsa polici i forcave speciale Rosu, Enver Zymberi u vra nga grupet kriminale serbe në 25 korrik të vitit të shkuar, në aksionin e Policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll dy pikat kufitare në veri, Jarinë dhe Bërnjakë.
Edhe pas thirrjes së Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi për mbylljen e protestës deputetët e Vetëvendosjes kanë vijuar me qëndrimin e tyre, bën me dije RTK.
Kryeparlamentari Krasniqi ndërpreu për pak minuta seancën dhe zhvilloi një mbledhje me kryetarët e grupeve parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se me veprimet e saj po kontribuon në aktet kriminale në veri.
Vetëvendosje ka kërkuar kryeparlamentarit Krasniqi mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për veriun e Kosovës.
Kjo lëvizje i ka kërkuar edhe Presidentes së Kosovës Ahtifete Jahjaga të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në veri.
Po kështu, Vetëvendosje i ka kërkuar Presidentit të Republikës Bamir Topi që të thërrasë mbledhjen e OKB-së për situatën në veri të Kosovës.
Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”