“Të janë errur sytë, të ka lënë mendja! Hiq dorë Sali, PD është shkrirë”, qytetarët “kryqëzojnë” Sali Berishën, kryedemokrati i kërkon të bëjnë durim: Mos u ngut…

Pas protestës së zhvilluar pasditen e së hënës përballë Kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, publikoi një mesazh falënderues për mbështetësit, të cilët ai i quajti “misionarë të foltores parlamentaro-qytetare”.
“Nderim misionarëve të foltores parlamentare-qytetare të parë që themeluan sonte parlamentin e qytetarëve të lirë përballë narko-parlamentit të Ramaduros!”, shkroi Berisha, duke e cilësuar tubimin si një formë të re rezistence qytetare.
Por, teksa Berisha është përpjekur që ta “shesë” protestën si një “model të ri”, reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta dhe të ashpra për të.
Shumë komentues e cilësuan pjesëmarrjen si “zhgënjyese” dhe “larg pritshmërive”, duke vënë në pikëpyetje aftësinë mobilizuese të ish-kryeministrit në këtë fazë të karrierës së tij politike.
Një nga komentet që ka marrë dhe vëmendjen e vetë Berishës ka qenë i një qytetari i cili i ka shkruar: “U shkri PD, qenka mbledh komshinjtë e pallatit të Saliut.”
Berisha ka vendosur që t’i kthejë përgjigje direkt duke i kërkuar që të mos “nxitohet”, pasi protesta e mbajtur ditën e djeshme nuk ishte një miting.
“Mos u ngut, Ilir, kjo ishte një foltore parlamentaro-qytetare e para e këtij lloji dhe nuk ishte miting”, ia kthen Berisha.
Ndërkohë të shumtë kanë qenë ata demokratë të cilët përmes komenteve të tyre i kanë kërkuar Berishës që të tërhiqet dhe t’ia lërë rrugën të rinjve.
Sipas tyre, protestat me pjesëmarrje të ulët janë tregues se figura e Berishës nuk frymëzon më si dikur dhe se partia ka nevojë për energji të reja për të rindërtuar besueshmërinë.
)