Bardhi: Çmimi i naftës ndër më të lartët në rajon, qeveria të ndërhyjë përmes uljes së taksave

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për uljen e barrës fiskale mbi karburantet, duke argumentuar se çmimi i naftës në Shqipëri është ndër më të lartët në rajon.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi deklaroi se nga çmimi prej rreth 219 lekësh për litër naftë, afërsisht 100 lekë përbëhen nga taksa, duke përfshirë akcizën, taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe TVSH-në.
Sipas tij, rritja e çmimit të karburantit sjell njëkohësisht rritje të të ardhurave që arkëton shteti nga taksat mbi naftën, ndërsa qytetarët përballen me kosto më të larta.
“Kur rritet çmimi, qytetari paguan më shumë. Kur qytetari paguan më shumë, Qeveria arkëton më shumë”, shkruan Bardhi, duke kërkuar ndryshimin e politikës fiskale ndaj karburanteve.
Bardhi e ka lidhur këtë çështje edhe me politikat e qeverisë për menaxhimin e financave publike. Ai akuzoi qeverinë Rama se të ardhurat shtesë nga rritja e çmimit të naftës nuk po u rikthehen qytetarëve dhe se ato përdoren për të financuar shpenzime që, sipas tij, lidhen me korrupsionin dhe tenderat publikë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së argumentoi gjithashtu se rritja e çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare nuk duhet të shërbejë si justifikim për çmimin e lartë në Shqipëri, duke iu referuar mekanizmave që, sipas tij, janë përdorur nga vende të tjera të rajonit për të amortizuar rritjen.
Në reagimin e tij, Bardhi rikujtoi edhe një propozim të mëparshëm të Partisë Demokratike për uljen e çmimit të karburanteve. Sipas tij, propozimi përfshinte uljen e taksës së qarkullimit dhe krijimin e një mekanizmi automatik që do të përdorte të ardhurat shtesë nga TVSH-ja, të krijuara nga rritja e çmimit të karburanteve, përmes uljes së akcizës.
Bardhi tha se ky propozim ishte refuzuar nga mazhoranca tre muaj më parë, por kërkoi që ai të rikthehet në diskutim.
“Jemi ende në kohë që algoritmi i naftës të ndryshojë”, shkruan Bardhi, duke e mbyllur reagimin me një apel për ndërhyrje të qeverisë në nivelin e taksimit të karburanteve.
Deklaratat e Bardhit për çmimin e naftës, nivelin e taksave dhe të ardhurat e shtetit përbëjnë qëndrimin e opozitës dhe kërkojnë verifikim të veçantë për shifrat dhe krahasimet me vendet e tjera të rajonit.
Reagimi i plote i Gazment Bardhit:
ALGORITMI I NAFTËS DHE ALGORITMI I EDI RAMËS
Edi Rama ka disa algoritme që funksionojnë prej vitesh në qeverisjen e tij. Algoritmi i krimit të organizuar. Algoritmi i pastrimit të parave. Të gjitha bashkë formojnë algoritmin e Edi Ramës: qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë dhe marrin gjithnjë e më pak nga Qeveria. Për ta kuptuar këtë algoritëm nuk na duhen teoritë e askujt. Mjafton të shohësh tabelën e çmimeve në pikën më të afërt të karburantit: Deri në 219 lekë për 1 litër naftë.
Algoritmi i naftës është fare i thjeshtë. Nga 219 lekë që paguan qytetari, rreth 100 lekë janë taksa: akcizë, taksë qarkullimi, taksë karboni dhe TVSH. Kur rritet çmimi, qytetari paguan më shumë. Kur qytetari paguan më shumë, Qeveria arkëton më shumë. Dhe ndërsa Qeveria përfiton nga rritja e çmimit, ajo nuk kthen asgjë tek qytetari. Pse Qeveria ka bërë këtë zgjedhje?
Sepse prioritet për Edi Ramën nuk është algoritmi i mirëqenies. Me milionat e shtuara që arkëton nga rritja e çmimit të naftës, financon algoritmin e korrupsionit, përmes tenderave me vlera 2–3 herë më të larta, siç kemi parë në dosjet e Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit. Që çmimet janë rritur kudo, nuk është justifikim. Pse nafta është më e lirë kudo në rajon? Sepse qeveritë atje kanë përdorur mekanizma që amortizojnë rritjen ose e kufizojnë atë. Në Shqipëri, Edi Rama funksionon me algoritmin e tij: pret që nafta të shkojë 220 lekë për litër dhe pastaj të ndërhyjë tek akciza.
B — BESIM? Prit sa të shkojë 220 lekë/litër.
E — EMPATI? Zero ulje taksash.
S — SHËRBIM? 219 lekë/litër.
A — ANGAZHIM? Më shumë fitime për Qeverinë.
Tre muaj më parë, Edi Rama refuzoi me votë propozimin e Partisë Demokratike për uljen e çmimit të karburanteve përmes dy mekanizmave:
1. Ulja e taksës së qarkullimit
2. Një mekanizëm automatik që, kur shteti mbledh më shumë TVSH për shkak të rritjes së çmimit të karburantit, këtë të ardhur shtesë t’ua kthejë qytetarëve përmes uljes së akcizës. Jemi ende në kohë që algoritmi i naftës të ndryshojë dhe propozimi i refuzuar tre muaj më parë të vihet në punë. Por për ta bërë këtë, duhet të ndryshojmë algoritmin kryesor: t’i bëjmë naftën Edi Ramës.