Tensione në dëgjesën për Territorialen në Prrenjas, banorët e Rrajcës kundër shkrirjes së bashkisë! I kërkojnë llogari deputetëve të PS

Dëgjesa publike e zhvilluar në Rrajcë të Librazhdit, në kuadër të konsultimeve për Reformën e Re Territoriale është shoqëruar me debate dhe tensione, ndërsa një pjesë e banorëve kanë braktisur takimin në shenjë proteste.

Takimi ishte parashikuar si një proces konsultimi me komunitetin për ndryshimet e mundshme në organizimin territorial dhe të ardhmen administrative të Bashkisë Prrenjas.

Por diskutimet u përshkallëzuan pasi banorët kërkuan nga deputetët socialistë të zonës, Bora Muzhaqi dhe Olsi Komici, një qëndrim të qartë lidhur me variantet e propozuara të reformës.

Banorët e Rrajcës shprehën shqetësimin se çdo ndryshim që do të çonte në shkrirjen apo riorganizimin e njësive vendore mund të ndikonte në ofrimin e shërbimeve publike, përfaqësimin e komunitetit dhe aksesin e qytetarëve në administratë.

Gjatë diskutimeve, ata kërkuan që deputetët e mazhorancës të deklaronin hapur nëse janë pro apo kundër planit të ri territorial, duke argumentuar se një riorganizim i tillë mund të thellonte problemet e zonave periferike dhe të rriste distancën e qytetarëve nga shërbimet administrative, informon “News24”.

Ndërkohë, deputetët e Partisë Demokratike të pranishëm në dëgjesë u shprehën kundër varianteve që, sipas tyre, do të çonin në shkrirjen ose dobësimin e Bashkisë së Prrenjasit.

Debatet vijuan për disa minuta, ndërsa situata u tensionua dhe një pjesë e banorëve vendosën të largohen nga salla, duke e konsideruar takimin të pamjaftueshëm për të adresuar shqetësimet e tyre.

Dëgjesat publike për Reformën Territoriale pritet të vijojnë edhe në zona të tjera, ndërsa qëndrimi i komuniteteve lokale mbetet një prej elementeve të procesit të konsultimit për riorganizimin e mundshëm të njësive të qeverisjes vendore.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT