Norvegjia sekuestron një anije ruse për të siguruar dëmshpërblimin prej 4.22 miliardë dollarësh

Autoritetet norvegjeze kanë sekuestruar një anije ruse në arkipelagun arktik të Svalbardit, me kërkesë të kompanisë shtetërore ukrainase të energjisë Naftogaz, në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për të siguruar pagesën e një dëmshpërblimi arbitrazhi prej 4.22 miliardë dollarësh.
Masa është marrë ndaj anijes “Professor Molchanov”, e cila përdoret për lundrime turistike dhe ekskursione, përfshirë edhe në zonën e Svalbardit. Sekuestrimi u urdhërua pas një vendimi të Gjykatës së Qarkut Nord-Troms të datës 31 gusht, bëri të ditur guvernatori i Svalbardit, Lars Fause.
Moska ka refuzuar të paguajë dëmshpërblimin dhe për këtë arsye Naftogaz ka nisur procedura ligjore në gjykatat e disa vendeve, me synim sekuestrimin e aseteve tregtare ruse.