Rama: Për punë javësh do publikohet projekti i Sazanit dhe Nartë-Pishë Poro

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi këtë të enjte, 3 shtator, ministrat dhe grupin parlamentar për të prezantuar platformën e re digjitale “Pasqyrë Albania”. Kjo hapësirë do të informojë qytetarët në kohë reale për rreziqet natyrore si zjarret apo përmbytjet, duke shmangur vonesat e konferencave zyrtare.

“Pasqyrë Albania” duhet të informojë në kohë reale çdo qytetar që ndodhet në një zonë që ka rrezik zjarri apo përmbytje, jo duke pritur konferencën e ministrit.”

Përmes kartelave publike pa përmbajtje propagandistike, platforma do të pasqyrojë punën, dokumentet, afatet dhe statusin e çështjeve të qeverisë, parlamentit dhe pushtetit gjyqësor.

“Mjeti themelor i Pasqyrës është kartela themelore, nuk ka asnjë tekst propagandistik. Ka vetëm se çfarë bën qeveria, parlamenti, pushteti gjyqësor sot. Kartela Publike plotëson disa kushte themelore, se cila është puna që po bëhet, institucioni që po e ndjek, ku janë dokumentet, afatet, statusi.”

Mjetit do t’i shtohet edhe “Pasqyra e Flamingos”, e cila do të vendosë në dispozicion të publikut në shqip dhe anglisht të gjitha dokumentet e negociatat për projekte me interes të veçantë, si ato në Sazan dhe Nartë-Pishë Poro.

“Faktikisht së shpejti, çështje javësh, do të jetë shfaqja e parë e Pasqyrës, që do të jetë e disponueshme për të gjithë, do të jetë një komponent i saj, i cili do të jetë “Pasqyra e Flamingos”, ku do të pasqyrohen çështjet, në rastin konkret tema e Sazanit dhe e Nartë-Pishë Poros, do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatëse, me të dhënat e procesverbaleve, me statuset e negociatave, me referencat ligjore, me të gjitha pikat e ngritura si problem. Atje ajo do të pasurohet hap pas hapi. Cilido qoftë në shqip apo edhe në anglisht, mund të futet dhe të gjejë atje gjithçka që lidhet me temën. “Pasqyra e Flamingove” është e ‘gjallë’ dhe të japë përgjigje. Në këtë mënyrë do të ecim me të gjitha çështjet dhe projektet që kanë një interes të veçantë.”

Rama theksoi se transparenca do të ketë vlerë vetëm nëse përdoret nga qytetarët, gazetarët apo opozita për të kërkuar llogari ndaj qeverisë. Përveç transparencës, ai kërkoi nga të pranishmit angazhim përmes nismës “BESA” (Besim, Empati, Seriozitet, Angazhim) si vijë drejtuese të sjelljes zyrtare. Lansimi i parë i kësaj platforme pritet të bëhet brenda pak javësh.

“Statusi i çështjes, qoftë kolektive apo individuale, nuk mund të jetë një dekor. Duhet të japë më shumë. Një shtet që nuk mban mend se çfarë ka thënë dje, nuk kërkon besim sot. ‘Pasqyrë Albania’ është një pasqyrë që qytetari e sheh qeverinë ashtu siç është. Çfarë ka bërë, çfarë nuk ka bërë akoma dhe çfarë po ndryshon?! Nëse nuk jepet një përgjigje, të gjitha janë barrë e pushtetit. Një reformë e tillë ka vlerë vetëm nëse qytetari, gazetari apo opozitari mund ta përdorë pasqyrën kundër qeverisë. Kjo është detyra e PS ndaj popullit shqiptar, se përndryshe nuk është pasqyrë. Por, transparenca nuk mjafton, ajo kërkon përgjegjësi. Prandaj arsyeja e pasqyrës është e pamjaftueshme pa arsyen e “BESËS”. Për ne “BESA” është akronimi besim, empati, besim dhe angazhim. Kushdo i pranishëm në sallë, këto duhet t’i bëjë vijë të sjelljes.”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT