Kuvendi starton sot sesionin e ri parlamentar, në fokus të debatit ‘të nxehtë’ politik janë Territorialja dhe Zgjedhorja! Pritet edhe protestë

Sot starton sesioni i ri parlamentar në Kuvend, 8 shtator, ora 17:00.

Seanca e parë plenare e sesionit të tretë të legjislaturës së 11-të pritet të jetë kryesisht ceremoniale, vetëm me 3 pika në rend të ditës, ndërsa puna konkrete e Kuvendit do të nisë me përcaktimin e programit dhe kalendarit të punimeve për periudhën e re parlamentare.

Në orën 11:00, pritet të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, ku do të diskutohet dhe miratohet projektprogrami i punës së Kuvendit dhe projektkalendari i punimeve.

Në sesionin e ri parlamentar pritet që vëmendja kryesore të përqendrohet te dy reforma të rëndësishme: reforma zgjedhore dhe reforma administrative-territoriale.

Sa i përket reformës territoriale, Partia Socialiste ka depozituar një propozim për ndryshimin e organizimit aktual të njësive vendore. Sipas propozimit, numri i bashkive në vend do të reduktohet nga 61 në 46.

Gjithashtu një pikë diskutimi e fortë pritet të jetë edhe çështja e pagave të gjyqtarëve.

Ndërkohë që protestuesit kanë lajmëruar edhe tubim sot pasdite para Kuvendit, duke e nisur aty ku e lanë në muajin korrik, në mbarim të sesionit të parë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT