Konflikti Bedinaj-Muça, Filip Çakuli: 36 vite kaos me pronat, madhështia e marrëzisë

Zv. Drejtori Politik i Top Channel, Filip Çakuli, i ftuar në “Top Story”, komentoi konfliktin për pronat mes biznesmenëve në Palasë, duke e cilësuar paradoksale situatën që Shqipëria, edhe pas 36 vitesh, vijon të mos ketë një hartë kadastrale unike dhe të përballet me mbivendosje pronësie.
“Kjo historia e pronave në Shqipëri, 36 vjet dhe pa pasur një hartë kadastrale unike, është paradoksale. Mirë, pronat në kohën e komunizmit u sekuestruan, por ne vazhdojmë me mendësi komuniste kur themi ‘ish-pronarë’. Ata janë pronarët e ligjshëm”, tha Çakuli.
Ai solli si shembull situatat ku për të njëjtën sipërfaqe toke mund të dalin disa persona që pretendojnë pronësinë mbi bazën e dokumenteve të ndryshme.
“Po të ngrihen për një gardh, njëri thotë ‘jam pronar, e kam nga gjyshi’, një tjetër ‘e kam nga legalizimi’, një tjetër thotë ‘e kam blerë’ dhe tjetri ‘e kam me vendim gjykate’. Shteti duhet të pyesë në radhë të parë: e kujt është prona?”, u shpreh ai.
Çakuli ngriti pikëpyetje edhe mbi procesin e shpronësimit të lidhur me projektin, duke theksuar se përpara se të vendoset se kush do të shpronësohet, duhet të jetë e qartë se kujt i përket prona.
“Mirë, e mori qeveria, do ta shpronësojë. Kë do të shpronësojë? Një pjesë është shtetërore, sepse pjesa më e madhe e pronës së Delta-s është shtetërore. Është shumë më i madh investimi strategjik. Qeveria jep një zgjidhje…”, tha Çakuli.
Në fund, ai e ironizoi idenë e krijimit të një ullishteje, duke e lidhur atë pikërisht me paqartësinë shumëvjeçare mbi pronësinë.
“Do ta bëjë ullishte. Para se të mbjellësh ullinjtë, e kujt ishte prona? Të bësh ullishte është normale, por kujt i takojnë ullinjtë, pronarit apo shtetit? Sepse në një ullishte mund të vësh edhe një epitaf: ‘Këtu prehet paqësisht Kadastra’”, u shpreh Çakuli.