FOTO/ Trafik droge me postë nga SHBA, kapen rreth 5 kilogramë e cilësisë së lartë me THC! Në pranga 20-vjeçari në Bathore, detajet e hetimit

Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast trafiku të drogës së cilësisë së lartë me THC dhe me postë nga SHBA drejt Tiranës.

Sot u finalizua operacioni policor i koduar “Delivery” (5 shtator), për goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nga SHBA-ja, me qëllim shitjen në Shqipëri.

Identifikohet dhe vihet në pranga 20-vjeçari, i cili kishte porositur një pako me Cannabis me përqindje të lartë THC.

“Në vijim të operacioneve për goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë, si dhe në bashkëpunim me filialin “Qendra Tranzite” të Postës Shqiptare, finalizoi operacionin policor të koduar “Delivery”. Në kuadër të këtij operacioni, pas një hetimi të kryer për rastin, u bë i mundur identifikimi i shtetasit D. S., 20 vjeç, banues në Bathore, si porositës i pakos me 4 kg e 641 gramë Cannabis me përqindje të lartë THC, e dyshuar se ishte trafikuar nga SHBA-ja. Në vijim të veprimeve procedurale, 20-vjeçari u vu në pranga nga shërbimet e Policisë”, tha policia për detajet e aksionit.

Pakoja, e cila përmbante 8 paketime me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis, me peshë totale 4 kg e 641 gramë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Nga ana e Policisë po vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, sqaruan burime zyrtare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT