Ylli Zalla i vuri tritolin “vetes”? Blutë dyshojnë se shpërthimi në Zallë është i inskenuar, gruaja denoncoi ngjarjen nga Italia disa orë me vonesë

Detaje të reja kanë dalë në pah në lidhje me tritolin e vendosur në banesën e të shumëkërkuarit të drejtësisë Ylli Zallës, ngjarje për të cilën blutë dyshojnë se është e inskenuar nga vetë personi në fjalë dhe gruaja e tij.
Dyshimet se ngjarja mund të jetë e inskenuar janë ngritur pasi bëhet me dije se shpërthimi ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës vonë, mirëpo blutë kanë marrë kallëzim vetëm mëngjesin e sotëm. Ka qenë vetë gruaja e Ylli Zallës ajo e cila ka denoncuar nga Italia, ku ajo jeton prej kohësh, shpërthimin me tritol të ndodhur në Zallë të Fushë-Krujës.
Po ashtu bëhet me dije se në vendngjarje nuk ka pasuar as kamera sigurie, ndaj momenti i shpërthimit nuk është filmuar duke ngritur kështu pikëpyetje të shumta për rrethanat e ngjarjes.
Teksa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vijojnë, burime nga policia raportojnë se një nga pistat kryesore ku po hulumtohet është dyshimi se lënda plasëse mund të jetë vendosur nga vetë shtetasi Ylli Zalla. Kjo pasi gruaja e tij ka pretenduar se përveç tritolit, kanë gjetur edhe një letër kërcënuese, por më pas e ka tërhequr si alibi.
Megjithatë, Policia nuk përjashton as mundësinë që Zalla të jetë larguar nga vendi ilegalisht dhe të ketë inskenuar ngjarjen për të kërkuar azil jashtë me pretendimin se i rrezikohet jeta.