VIDEO/ Spanja goditet nga katër tërmete radhazi, panik te popullata, njerëzit dalin në rrugë nga frika! Nuk raportohet për viktima

Bota nuk gjen qetësi nga lëkundjet sizmike që po godasin anembanë rruzullit me një fuqi aspak të zakontë pothuajse në të njëjtën kohë.
Një tërmet me magnitudë 5.0 ka goditur gjatë natës edhe zonën e Granadës, në jug të Spanjës.
Epiqendra e tërmetit u regjistrua pranë Alhendín, në rajonin e Andaluzisë. Sipas Institutit Gjeografik Kombëtar të Spanjës (IGN), magnituda e tërmetit fillimisht ishte vlerësuar 4.8, por më pas u rishikua në 5.0.
Autoritetet thanë se ka pasur të paktën 4 tërmete njëri pas tjetrit, por me shkallë force në zbritje dhe pa viktima.
Lëkundja kishte një thellësi prej vetëm 2 kilometrash dhe shkaktoi dëme materiale në disa zona. Shërbimet e emergjencës raportuan shkëputje të pjesëve të kornizave, dëmtime në fasada dhe çati ndërtesash, veçanërisht në Armilla.
Banorë të shumtë raportuan gjithashtu rënien e objekteve brenda banesave.
Pavarësisht dëmeve, deri tani nuk raportohet për viktima apo persona të lënduar. Tërmeti u ndje në të gjithë provincën e Granadës, por edhe në provincat e Jaén, Almería, Málaga dhe Córdoba.
Vetëm gjashtë minuta pas lëkundjes kryesore u regjistrua një tjetër tërmet me magnitudë 2.6, me epiqendër në Gojar.
Zona ishte goditur edhe gjatë ditës së premte nga tre tërmete të tjera me intensitet më të ulët, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundja e fuqishme.
Në 10 gusht Kili u godit nga një tërmet me forcë 7,4 ballë, me mbi 270 viktima deri tani, mijëra të plagosur dhe ndërtesa të shembura. Sot u godit edhe Indonezia nga një tërmet 7,7 ballë dhe deri tani numërohen dhjetëra të vdekur dhe qindra të plagosur, teksa pati një alarm edhe për tsunami.
Gjithashtu dje Greqia në Thesproti u godit nga një tërmet 3,8 ballë, pa dëme materiale.