FOTO/ Zjarre në malin e Qukësit në Prrenjas, izolohen katër vatra pas 12 orësh ndërhyrjeje! Hetime për akt të qëllimshëm

Katër vatra zjarri përfshinë një sipërfaqe pyjore edhe në Lugun e Lakrës, në malin e Qukësit, në Njësinë Administrative Qukës, Bashkia Prrenjas.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë për rreth 12 orë për shuarjen dhe izolimin e flakëve.
Emergjencat njoftuan se në operacion u angazhuan 6 zjarrfikës dhe një inspektor pyjor. Sipas shërbimit zjarrfikës, në zonën e prekur u konstatuan katër vatra zjarri të ndara, në pika të ndryshme të sipërfaqes pyjore.
Për shkak të vendndodhjes së tyre, autoritetet kanë ngritur dyshime se zjarri mund të jetë shkaktuar qëllimisht, por rrethanat mbeten për t’u hetuar.
Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, vatrat u izoluan dhe u parandalua përhapja e zjarrit në pjesë të tjera të malit. Nuk raportohet për persona të lënduar.
Shërbimet përgjegjëse vijojnë monitorimin e zonës për shkak të mundësisë së riaktivizimit të vatrave nën mbetjet pyjore dhe trungjet e thata.
Reshjet e shiut të rëna pas ndërhyrjes pritet të kenë ndihmuar në shuarjen e plotë të vatrave.



