Tarifat e Trump u rrëzuan në gjykatë, SHBA nis kthimin e miliardave për bizneset

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka nisur rimbursimin e rreth 100 miliardë dollarëve për tarifat doganore që Gjykata Supreme i shpalli të paligjshme.
Në vendimin e saj të shkurtit, Gjykata Supreme vendosi se presidenti nuk kishte të drejtë të vendoste këto tarifa duke anashkaluar Kongresin dhe duke përdorur Ligjin për Kompetencat Ekonomike në Emergjenca Ndërkombëtare (IEEPA). Shuma e kthyer përbën rreth 60% të 165 miliardë dollarëve të mbledhur nga qeveria amerikane përmes tarifave të vendosura gjatë të ashtuquajturës “Dita e Çlirimit”.
Sipas Financial Times, të dhënat për rimbursimet u janë paraqitur gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare të Tregtisë së SHBA-së nga zyrtarët amerikanë të doganave. Pas vendimit të Gjykatës Supreme, autoritetet amerikane të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit (Customs and Border Protection) u urdhëruan të nisnin procedurat për kthimin e parave.
Edhe pse Trump kritikoi ashpër vendimin e gjykatës dhe mbrojti politikën e tij tarifore, administrata e tij ka nisur procesin e rimbursimeve më shpejt nga sa ishte parashikuar. Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, kishte paralajmëruar më herët se procesi mund të zgjaste “vite për shkak të betejave ligjore”.
Megjithatë, të dhënat e paraqitura në Gjykatën Ndërkombëtare të Tregtisë tregojnë se kërkesa për rimbursime në vlerë mbi 128 miliardë dollarë janë tashmë në proces shqyrtimi. Analisti Walker Livingston, i cili po ndjek procedurën e rimbursimeve për kompaninë e konsulencës Capstone, tha se ishte i befasuar nga shpejtësia me të cilën qeveria amerikane ka vepruar.
Sipas rregullave të Doganave amerikane, vetëm importuesi i regjistruar mund të kërkojë kthimin e parave. Kjo do të thotë se shumë biznese të vogla dhe të mesme që nuk importojnë drejtpërdrejt mund të mos përfitojnë nga këto rimbursime. mNdërkohë, kompania Amazon ka bërë të ditur se ka marrë rreth 600 milionë dollarë rimbursime për tarifa doganore dhe se një pjesë e kësaj shume pritet t’u kthehet klientëve.
Pavarësisht vendimit të Gjykatës Supreme, administrata Trump vazhdon të vendosë tarifa të reja ndaj importeve, në masën 10 deri në 12.5%, duke u mbështetur në baza të tjera ligjore. Edhe këto masa janë përballur me sfida gjyqësore.
Ndërkohë, Kina ka njoftuar kufizime të reja për eksportin e komponentëve të dronëve drejt Shteteve të Bashkuara dhe ka vendosur gjashtë kompani amerikane në listën e zezë. Pekini tha se këto masa janë një kundërpërgjigje ndaj sanksioneve tregtare të vendosura nga Uashingtoni dhe theksoi se kontrollet do të forcohen për eksportet e dronëve, pjesëve kryesore dhe teknologjive të lidhura me to.
Megjithatë, Kina deklaroi se masat e marra janë të kufizuara dhe se mbetet e interesuar për ruajtjen e stabilitetit në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Shtetet e Bashkuara.