Marrëveshja Shqipëri-Zvicër detyron palët të negociojnë! U firmos në 1992 për zgjidhjen e…

Mosmarrëveshja për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po kalon nga kantieri në një përballje ligjore që mund të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar.
Në reagimin e tij ku lajmëroi dërgimin e çështjes në arbitrazh, investitori kryesor, Behgjet Pacolli theksoi se ky vendim i ministrisë së Infrastrukturës bie ndesh jo vetëm me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe Kontratën e Koncesionit, por edhe me Marrëveshjen Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë.
Bëhet fjalë për traktatin e vitit 1992 i cili përcakton standardet reciproke që shteti pritës duhet të respektojë ndaj investitorëve, në rastin konkret shteti shqiptar ndaj një kompanie zviceriane siç është MABCO me seli në Lugano.
Konkretisht, neni 4 detyron shtetin të mbrojë investimet e kryera sipas legjislacionit dhe ndalon pengimin e administrimit, mirëmbajtjes, përdorimit, zgjerimit apo shitjes së tyre përmes masave të pajustifikuara ose diskriminuese.
Ndërsa neni 5 garanton trajtim të drejtë dhe të barabartë për investitorët dhe ndalon që ata të trajtohen më pak favorizues se investitorët vendas ose ata të vendeve të treta.
Pacolli pretendon se pikërisht këto garanci janë cënuar, duke argumentuar se kompania u pengua të vazhdonte punimet edhe pasi kishte vendime gjyqësore në favor të saj, ndërsa vonesat e krijuara po përdoren tashmë si argument për zgjidhjen e kontratës.
Një tjetër dispozitë kyçe është neni 11, i cili rregullon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes investitorit dhe shtetit.
Sipas tij, palët duhet fillimisht të përpiqen ta zgjidhin konfliktin përmes negociatave. Nëse brenda gjashtë muajve nuk arrihej një marrëveshje, atëherë investitorit i lind e drejta t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar.
Marrëveshja parashikon gjithashtu se, nëse të dy shtetet janë palë në Konventën e Uashingtonit të vitit 1965, çështja mund të shqyrtohet edhe nga Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve.
Duke iu referuar këtyre dispozitave, Pacolli paralajmëron se, nëse kontrata koncesionare zgjidhet, mosmarrëveshja nuk do të mbetet vetëm një konflikt kontraktor, por mund të kalojë në arbitrazh ndërkombëtar, ku do të shqyrtohet edhe nëse Shqipëria ka respektuar detyrimet që ka marrë përsipër me marrëveshjen dypalëshe të investimeve të vitit 1992.