Skandali në Policinë e Milanos: Arrestohen pesë efektivë pas zhdukjes së 1,400 eurove të një të ndaluari

Një efektiv me gradë oficeri dhe katër pjesëtarë të tjerë të policisë lokale të Milanos u arrestuan mëngjesin e së enjtes nga kolegët e tyre, nën akuzat për përvetësim, informacion të rremë dhe arrestim të paligjshëm.
Hetimi, i cili po koordinohet nga prokurori Giovanni Tarzia dhe i është deleguar njësisë mobile të policisë lokale, nisi pas një ankesë nga një avokat dhe klienti i tij. Ky i fundit ishte arrestuar më 16 korrik, dhe pa se nga xhepi i tij mungonin 1,400 euro.
Arrestimet u kryen gjatë agimit dhe të pesë personat ndodhen tashmë në burg. Lidhur me këtë ngjarje, komandanti i Policisë Lokale të Milanos, Gianluca Mirabelli, deklaroi:
“Nga raporti i marrë, u deshën vetëm pesëmbëdhjetë ditë për të rindërtuar, me udhëzimin e Autoritetit Gjyqësor, një çështje padyshim e dhimbshme, por që tregon aftësinë e Korpusit për të reaguar dhe rezistencën e tij ndaj sjelljes për të cilën nuk ka justifikim.”
Më tej, komandanti Mirabelli nënvizoi se veprimet e efektivëve të ndaluar nuk e zbehin punën e pjesës tjetër të strukturës:
“Sigurisht pesë individë nuk do të kompromentojnë nderin e mbi 3,300 grave dhe burrave që kryejnë detyrat e tyre çdo ditë me dinjitet, rigorozitet dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie për institucionet.”