Situatë kritike me zjarret në Pukë, flakët përparojnë drejt zonave të banuara, ndërhyrje nga ajri! Ministria e Mbrojtjes: 32 vatra në 24 orë, 6 ende aktive

Situata me zjarret në malësinë e Pukës vijon të mbetet kritike, për shkak se era dhe bimësia e dendur favorizojnë flakët që i afrohen edhe zonave të tjera të banuara.
Paralelisht edhe sot vijon operacioni për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore të Tërbunit, Gojanit, Gjegjanit dhe Prozhmit, në Bashkinë Pukë. Situata në Gjegjan paraqitet më e qetë dhe aktualisht nuk raportohet për përparim të flakëve. Zona po monitorohet nga forcat vendore.
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje. Në operacionet e djeshme janë angazhuar 726 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 270 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Autoritetet njoftojnë se në Gojan të Madh, gjatë natës janë evidentuar riaktivizime të disa vatrave, por ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka bërë të mundur normalizimin e situatës.
Në lagjen Pepaj, zjarri nuk ka avancuar drejt banesave përtej perimetrit të izoluar gjatë ndërhyrjes intensive të ditës së djeshme. Edhe kjo zonë vijon të mbahet nën monitorim.
Situata më problematike paraqitet në Gojan të Vogël, ku një vatër vijon të jetë aktive dhe me intensitet, duke u përhapur në zbritje në drejtim të zonës së banuar.
Për përballimin e kësaj vatre është përqendruar edhe ndërhyrja nga ajri, me dy helikopterë, në koordinim me forcat në terren. Operacioni tokësor po zhvillohet nga efektivë të Forcave të Armatosura dhe forcat operacionale vendore.
Ndërkohë, në Prozhëm raportohet avancim i zjarrit. Për mbrojtjen e banesave dhe qytetarëve janë dislokuar prej ditës së djeshme dy mjete zjarrfikëse, të gatshme për ndërhyrje të menjëhershme në rast se flakët afrohen në zonën e banuar. Operacioni në këtë zonë po koordinohet në varësi të dinamikës së zjarrit, si nga ajri, ashtu edhe nga toka.
“Në të gjithë zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun janë angazhuar aktualisht 9 mjete zjarrfikëse dhe 45 efektivë të MZSH-së nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra. Në operacion marrin pjesë gjithashtu 13 punonjës të Shërbimit Pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura”, njofton Ministria e Mbrojtjes.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
“Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.
Në operacionet e djeshme janë angazhuar 726 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 270 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në Gojan–Gjegjan, Pukë vijon operacioni i përforcuar me 190 forca në terren: 32 efektivë MZSH me 7 mjete zjarrfikëse, 13 punonjës të shërbimit pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë/banorë dhe 40 efektivë të FA. Në mbështetje janë 1 ekskavator, 1 mjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë të FA-së.
Në Tenë, Mirditë, operacioni vijon me 30 efektivë të FA, mjete zjarrfikëse të FA dhe Bashkisë Mirditë, shërbimin pyjor dhe strukturat vendore. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Në Dukat, Vlorë – vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët. Sot operojnë 77 forca: 10 efektivë MZSH, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 55 efektivë të FA-së. Nuk rrezikohen banesa.
Në Malin e Dajtit, Tiranë, një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht, ndërsa sot vijon ndërhyrja në vatrat e mbetura me 30 efektivë të FA-së. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Bërshi, Klos , pas vënies nën kontroll, gjatë natës janë riaktivizuar disa vatra për shkak të erës. Në operacionin e deritanishëm janë angazhuar 85 forca, përfshirë 30 efektivë të FA-së, si dhe mjete zjarrfikëse.
Në Shtuf, Mirditë, vatra mbetet aktive dhe ndërhyrja vijon aty ku e mundëson terreni, ndërsa pjesët e thepisura vështirësojnë përdorimin e mjeteve zjarrfikëse.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve”.