Sinjal për Kim Jong Un? Trump ‘frenon’ stërvitjet ushtarake në Korenë e Jugut

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka urdhëruar Pentagonin të reduktojë ndjeshëm stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, pak orë para nisjes së tyre të hënën, 17 gusht.
Trump tha se vendimi lidhet me marrëdhënien e tij të mirë me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke i cilësuar stërvitjet si “të papërshtatshme dhe armiqësore” ndaj Phenianit. Sipas tij, ushtrimet janë të kushtueshme dhe mund të dërgojnë një sinjal negativ ndaj Koresë së Veriut.
Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut konfirmoi se stërvitjet do të zhvillohen sipas planit të njoftuar më parë.
Stërvitjet do të zgjasin 11 ditë dhe do të përfshijnë rreth 18 mijë trupa koreano-jugore dhe amerikane, me fokus te lufta me dronë, ndërhyrjet në sistemet GPS dhe sulmet kibernetike.
Trump tha se anulimi i plotë i stërvitjeve ishte tashmë i pamundur, ndaj i ka kërkuar Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, që ato të reduktohen ndjeshëm.
Koreja e Veriut i kundërshton prej kohësh këto stërvitje, duke i konsideruar si përgatitje për një pushtim.
Vetëm pak ditë më parë, Pheniani paralajmëroi se mund të përgjigjej me një “nivel të ri parandalimi” dhe kreu një provë me raketë balistike mbi Detin e Japonisë.
Ekspertët paralajmërojnë se reduktimi i stërvitjeve mund të dobësojë koordinimin ushtarak mes SHBA-ve dhe Koresë së Jugut dhe të ndikojë në aftësinë parandaluese ndaj kërcënimeve nga Pheniani. Nga ana tjetër, ata vlerësojnë se është e paqartë nëse ky vendim do të sjellë ndonjë përmirësim të menjëhershëm në marrëdhëniet me Korenë e Veriut.
Tensionet në rajon janë shtuar edhe për shkak të afrimit të Phenianit me Moskën. Koreja e Veriut ka ofruar mbështetje ushtarake për Rusinë në luftën në Ukrainë, përfshirë trupa dhe municione, ndërsa dy vendet kanë forcuar bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik.