Shuhet profesor Eqrem Kryeziu, shqiptarët humbin intelektualin dhe veprimtarin e shquar

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Kryeziu me rastin e ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Eqrem Kryeziut.

“Me vdekjen e tij, Kosova humbi një intelektual dhe veprimtar të shquar të një brezi që angazhimin për vendin e ndërtoi mbi dije dhe përgjegjësi”, thuhet në telegramin e U.D. Presidentes Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Eqrem Kryeziu ishte para së gjithash profesor dhe njeri i letrave dhe se për më shumë se pesë dekada jeta e tij ishte e lidhur me librin, arsimin dhe dijen.

“Edhe në politikë mbeti njeri me mendim të vetin, i drejtpërdrejtë në fjalë, me ironi të hollë dhe me një mënyrë të veçantë të të shprehurit, për të cilën publiku e njohu dhe e mbajti mend”, ka thënë U.D. Presidentja.

Sipas saj, emri i Eqrem Kryeziut mbetet veçanërisht i lidhur me Prizrenin, ku për shumë vite ishte pjesë e jetës politike të qytetit dhe të cilin e udhëhoqi si kryetar në vitet e para të qeverisjes lokale të pasluftës.

“Kontributi i tij vazhdoi edhe në Kuvendin e Kosovës dhe në jetën politike të vendit, por figura e Eqrem Kryeziut nuk përmblidhet në funksionet që mbajti. Do të kujtohet si profesor, intelektual dhe veprimtar i shquar me individualitet të spikatur, që la gjurmë në jetën politike e kulturore të Kosovës”, thuhet në telegram.

U.D. Presidentja Haxhiu i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Kryeziu, miqve, kolegëve, bashkëpunëtorëve, qytetarëve të Prizrenit dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan Prof. Dr. Eqrem Kryeziun.

“I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Eqrem Kryeziun”, ka shkruar U.D. Presidentja Haxhiu.

Çfarë shkruante Kryeziu në përsiatjet e fundit letrare

Vërshimi ogurbardhë i Mërgatës

Kur e pashë ardhjen e papêrmbajtshme tê njerëzve tanë jashtë Kosove para Vitit rë Ri, vendosa të mos f’i dërgoj askujt urimet tradicionale, duke qenë se fjalët e mia dukeshin aq të pafuqishme në ato rrethana.

Sepse, mikesha dhe miq, toka e Kosovês së tyre është e mbrujtur me dhembshurinë, me përmallimim dhe me dashurinë e tyre.

Fluturuan dhe ranë {ta parafrazoj Jusuf Gërvallën, që e dha shpirtin në měrgim} atje tek “është Kosova, diell edhe hënë”. Është tronditëse kur mëson se vajza e tij kishte obligim zyrtar për njerëzit tanë të mërguar. Mund t’i thuash vetes: sa të mistershme janë rrugët e Zotit!

Toka e Kosovês së tyre, prandaj, nuk ështê tokë e shkretë. Ky është shkaku që ligësia nuk mund të fitojë në këtë tokë të bekuar.

Eqrem Kryeziu lindi më 15 shkurt 1948 në fshatin Pagarushë të komunës së Malishevës, Kosovë. Ai është profesor i letërsisë shqipe, studiues i shkencave filologjike dhe një nga figurat e njohura të jetës politike të Kosovës, veçanërisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Back to top button
LAJMET E FUNDIT