Shtohen meshkujt infertilë, mjeku: Kanë ndryshuar stili i jetës dhe faktorët ambientalë

Infertiliteti nuk lidhet gjithmonë me paaftësinë e femrës për të riprodhuar. Edhe numri i meshkujve infertilë, për fat të keq, është në rritje të shpejtë dhe, sipas mjekëve, kjo lidhet me cilësinë e spermatozoidëve, të cilët pas moshës 40 vjeç dhe pas një stili jete të shkujdesur dëmtohen pa rikthim.

“Infertiliteti mashkullor ka një tendencë në rritje të dukshme gjatë viteve të fundit dhe është aq e vërtetë kjo, saqë ka ndryshime edhe në parametrat e konsiderimit normal të spermogramës përgjatë dekadave dhe ky është trend global. Në vitin 1970, spermograma normale konsiderohej mbi 140 milionë për ml. Në vitin 1990 konsiderohej normale mbi 40 milionë për ml. Sot konsiderohet normale mbi 15 milionë për ml. E njëjta gjë është edhe për shpejtësinë dhe morfologjinë e spermatozoidëve. Morfologjia normale mjafton të ketë 4 spermatozoidë në 100 dhe quhet normale. Dikur ka qenë mbi 40%. Pra, 4% sot quhet normale”, tha Redi Hoxhallari, Zv. Drejtor i Maternitetit “Koço Gliozheni”.

Ndryshimi i parametrave të spermogramës tashmë ka lidhje të provuar me faktorët socialë dhe ambientalë, por meshkujt kanë ende në dorë të shmangin disa ndikime në qelizën riprodhuese.

“Stresi oksidativ në organizëm mund të japë dëmtime dhe ndonjëherë edhe të parikthyeshme të funksionit, shpejtësisë, lëvizshmërisë dhe formës së spermatozoidit. Edhe faktorë si droga, alkooli, duhani, ushqimi dhe stresi social lidhen direkt me procesin e spermogramës”, tha ai.

Mjekët i shohin veset e të rinjve si faktorë që mund të ndikojnë negativisht në kohën e riprodhimit të tyre. Qelizat tona riprodhuese nuk na i falin kollaj gabimet e bëra me trupin tonë në rini, ndaj mjekët apelojnë për edukim të hershëm.

“Duhet të fillojë informimi dhe edukimi shumë më herët se koha kur fillojmë të mendojmë për familje. Duhet të fillojmë që në shkollë, e cila këtë punë duhet ta bëjë më mirë”, tha mjeku.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT