Dështon tentativa e dytë e emigrantëve nga Maroku për të hyrë në Ceuta, 111 persona të arrestuar

Policia marokene ka ndaluar të paktën 111 persona një ditë më parë, pasi ata tentuan të kalonin kufirin drejt Ceutës, territorit spanjoll në Afrikën e Veriut. Përpjekja për kalim ndodhi në një kohë kur autoritetet në të dyja anët e kufirit kanë shtuar ndjeshëm masat e sigurisë, pas thirrjeve në rrjetet sociale për një tjetër kalim masiv të emigrantëve.

Sipas një burimi nga Ministria e Brendshme e Marokut, 109 prej të ndaluarve ishin emigrantë nga Afrika Sub-Sahariane, ndërsa dy të tjerë ishin shtetas marokenë. Ata u ndaluan në qytetin Fnideq dhe në zonat përreth tij, përballë Ceutës.

Sipas agjencisë spanjolle EFE, policia marokene përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë grupet e emigrantëve që ishin mbledhur në kodrat rreth 3 kilometra larg kufirit

Në Ceuta, ushtarë spanjollë u vendosën për të ruajtur supermarketet, ndërsa policia shtoi patrullimet në rrugët kryesore të qytetit. Situata ishte më e qetë krahasuar me ditët pas përpjekjes së përgjakshme për kalimin e kufirit më 30 korrik.

Gjatë asaj ngjarjeje, më shumë se 72 mijë migrantë u dyndën drejt Ceutës, ndërsa të paktën 96 persona humbën jetën gjatë përpjekjes për të arritur në territorin evropian. Ngjarja shkaktoi tensione brenda Bashkimit Evropian dhe nxiti reagime të forta nga partitë e krahut të djathtë dhe kundër emigracionit në vende të ndryshme.

Pas fluksit të madh, Madridi ka vendosur një barrierë detare dhe ka dërguar më shumë se 500 policë shtesë nga Spanja kontinentale. Numri i përgjithshëm i forcave të policisë në Ceuta ka kaluar në mbi 1,600 efektivë. Ministria e Brendshme spanjolle ka deklaruar se përforcimet do të qëndrojnë në zonë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

“Do të vazhdojmë të dërgojmë çdo numër efektivësh që nevojitet për të rikthyer normalitetin sa më shpejt dhe për të parandaluar që ngjarje si ajo e 30 korrikut të përsëriten”, tha të enjten ministri i Brendshëm spanjoll Fernando Grande-Marlaska.

Sipas ministrit, rreth 5,000 emigrantë ndodheshin ende në Ceuta. Reuters raportoi se qindra prej tyre po qëndronin nën streha të improvizuara prej bambuje në plazhin urban El Trampolin, duke kërkuar mbrojtje nga temperaturat e larta.

Ministri i Brendshëm Grande-Marlaska tha se emigrantët që kanë hyrë në mënyrë të parregullt nuk do të lejohen të qëndrojnë në Ceuta, të udhëtojnë drejt Spanjës kontinentale apo të marrin status të ligjshëm, përveç rasteve të rralla kur bëhet fjalë për persona në gjendje të jashtëzakonshme vulnerabiliteti. Ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë do të kthehen në Marok, tha ai.

Në fillim të kësaj jave, autoritetet marokene deklaruan se po monitoronin postime dhe mesazhe në rrjetet sociale, me origjinë të paqartë, që bënin thirrje për një kalim masiv të kufirit më 15 gusht. Rabati paralajmëroi se organizatorët dhe pjesëmarrësit do të ndiqeshin penalisht.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT