Sherri për një vajzë dyshohet se i mori jetën 24-vjeçarit shqiptar në Itali! Identifikohet autori

Një 24-vjeçar shqiptar u vra me thikë në orët e vona të mbrëmjes së të hënës në Vescovato, një qytezë me rreth 4 mijë banorë në provincën e Cremona, Itali. Viktima, N. Dalipaj, dyshohet se është goditur të paktën tri herë në fyt, në kulmin e një sherri në Viale Italia. I transportuar në spital në gjendje shumë të rëndë, 24-vjeçari ndërroi jetë pak pas shtrimit.

Për këtë vrasje është ndaluar tashmë një 32-vjeçar nga Cremona, Mattia Miraglia, pa precedentë penalë dhe banues në Vescovato. Edhe ai ka mbetur i plagosur, ndodhet nën mbikëqyrje në spitalin Maggiore dhe pozita e tij po shqyrtohet nga autoriteti gjyqësor. Hetimet po kryhen nga karabinierët.

Sipas verifikimeve të para të kryera nga karabinierët, sherri që përfundoi me vrasjen mund të ketë qenë i motivuar nga arsye sentimentale, konkretisht nga xhelozia për një vajzë. Para goditjeve fatale me thikë, mes shqiptarit dhe 32-vjeçarit kishte pasur një debat në një bar.

Dukej se gjithçka kishte përfunduar aty, por më pas shqiptari, së bashku me vëllezërit e tij, u drejtua për në Vescovato, poshtë banesës së rivalit. Ky i fundit zbriti me një thikë dhe, sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, fillimisht plagosi në bark një nga vëllezërit e viktimës, e më pas goditi për vdekje 24-vjeçarin./Corriere

Back to top button
LAJMET E FUNDIT