FOTO: Përkrenarja prej ari e Kryeministrisë në vilën e Ramës?! Fuga: Është kopje

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar dje një video-mesazh live ku ka njoftuar për më të rejat në luftën kundër përhapjes së COVID-19.
Siç ka njoftuar edhe vetë më herët, i pari i qeverisë është vetë-karantizuar në shtëpinë e tij në Surrel, ku bën joga dhe mban agjërim.
Por, mediave u tërhoqi vëmendjen kjo pamje pas shpinës së kryeministrit.
Bëhet fjalë për “Përkrenaren e Skënderbeut”, një objekt i shtrenjtë që qëndron për dekor në vilën kryeministrore.
Kjo përkrenare iu dhurua shtetit shqiptar, më saktë Kryeministrisë 2 vite më parë, më 27 nëntor 2018, kur në Sallën e Hartave në Kryeministri u prezantua një hartë e rrallë e shekullit të XV-që ku flitej për Skënderbeun.
Argjendari Pirro i dhuroi përkrenaren e gjitha në flori, kryeministrisë.
Rama e siguroi autorin e përkrenares, argjendarin Pirro, se dhurata e tij për Kryeministrinë nuk do të zhduket siç ndodhte më parë, por do të inventarizohet dhe do t’i mbetet trashëgimi godinës.
“Argjendari i famshëm Pirro, i cili na ka njoftuar se këtë përkrenare, kurorë të mbarë shqiptarisë, ia dhuron Kryeministrisë. Duke e njohur jo vetëm unë por fatkeqësisht të gjithë historinë e dhuratave që i janë bërë kësaj godine dhe godinave të tjera, dhe nuk dihet ku kanë përfunduar, dëshiroj ta qetësoj autorin e kësaj përkrenare që ajo të humbasë. Ne kemi iniciuar një traditë normale të mësuar nga vende të cilav e u kemi zili hiret e mirësjelljes me veten, dhe të gjitha dhuratat inventarizohen dhe asnjë dhuratë që vjen e më dorëzohet mua nuk është e imja.”-thoshte vetë Rama asokohe.
Por tanimë, përkrenarja ka përfunduar në shtëpinë e tij në Surrel, për arsye që nuk dihen.
Faqja online Dosja, e cila ka publikuar një krahasim të fotove shkruan me ironi: “Me gjasë, kryeministri ka patur frikë se përkrenarja e shtrenjtë do të humbiste në këto kohë koronavirusi, prandaj e ka marrë atë me vete në shtëpi, pasi me të është më e sigurtë sesa në institucionet e shtetit. Mundësia e dytë, është që kryeministri të jetë dashuruar me prodhimin e parë të Argjendari Pirros, dhe të ketë realizuar edhe një të dytë për veten. Mbetemi në dilemë derisa të mësojmë të vërtetën…”
Pas publikimit të lajmit këshilltari për media në Kryeministri, Endri Fuga shkruan se kryeministri ka porositur një kopje të kësaj përkrenareje ndërsa origjinalja ndodhet në Kryeministri.
Ai madje i quan mediat ku u botua foto “portale të infektuar”.
“Meqë fantazia arriti ne piken qe te shkruhet ne portalet e infektuara se qenka vjedhur perkrenarja e Skenderbeut nga kryeministri, ja ku eshte perkrenarja origjinale qe pret ne korridor meremetimin e Salles se Hartave! Kopje mund te porosisni tek Argjendari Pirro dhe t’i gezoni!”- shkruan Fuga krahas fotos.
Por Dosja nuk ka hequr dorë nga denoncimi dhe i ka drejtuar disa pyetje këshilltarit të KM:
“Kopja që ka bërë Rama është njësoj si origjinalja? Kushton po aq sa dhe origjinalja? Është një imitim, i blerë diku gjetkë? Është një imitim jo real? Kur e ka bërë foton Endri Fuga, a nuk është dhe ai i izoluar në banesë, apo theu urdhrin e qeverisë dhe në një kohë rekord shkoi nga banesa e tij në Kryeministri, shkrepi foton, cicëroi në Twitter dhe më pas u kthye sërish në banesë? Presim që Fuga t’u përgjigjet këtyre pyetjeve dhe të sqarojë publikun” – shkruan Dosja.

