Ndahet nga jeta legjenda e NBA-së, Don Nelson! Trajneri që ndryshoi basketbollin

Don Nelson, një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e NBA-së dhe ish-lojtar i Boston Celtics, ka ndërruar jetë të dielën në moshën 86-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur nga Golden State Warriors, skuadra që Nelson drejtoi në dy periudha, nga viti 1988 deri në 1995 dhe më pas nga 2006 deri në 2010.

Nelson fitoi pesë tituj kampion me Boston Celtics si lojtar dhe më vonë ndërtoi një karrierë të gjatë si trajner. Ai drejtoi skuadra të NBA-së për 31 sezone, u shpall tre herë trajneri i vitit dhe arriti të kualifikohej në play-off 18 herë.

Ai mbetet trajneri i dytë me më shumë fitore në historinë e NBA-së. Nelson e mbylli karrierën me 1,335 fitore si trajner, rekord që e mbajti për gati 12 vjet, përpara se të tejkalohej nga Gregg Popovich në vitin 2022.

Nelson u bë i njohur për stilin e tij të shpejtë të lojës, i cili më vonë u bë i njohur si “Nellie Ball”. Ai ishte gjithashtu një nga trajnerët që ndryshuan mënyrën e përdorimit të lojtarëve të mëdhenj, duke i dhënë më shumë rëndësi shpejtësisë dhe organizimit të lojës nga lojtarët e krahut.

Në vitin 2007, Warriors e Nelson, të udhëhequr nga Baron Davis, shkaktuan një nga surprizat më të mëdha në historinë e play-off-it, duke eliminuar Dallas Mavericks, skuadrën që kishte përfunduar sezonin e rregullt në vendin e parë.

Në sezonin e fundit të tij si trajner, Nelson punoi me një të ri që sapo kishte hyrë në NBA: Stephen Curry.

Një nga arsyet kryesore pse u zgjodha nga Warriors ishte Don Nelson. Thuhej se ai nuk i pëlqente lojtarët e rinj, por që nga dita e parë ai më sfidoi dhe më dha mundësinë të bëhesha versioni im më i mirë në fushë”, tha Curry në një deklaratë të publikuar nga Warriors.

Ai më mësoi shumë gjatë sezonit që kaluam së bashku dhe nuk do ta harroj kurrë natën kur u bë trajneri me më shumë fitore në historinë e NBA-së. Ai pati një ndikim të jashtëzakonshëm në sport dhe do të mbetet një nga mendjet më të mëdha në historinë e basketbollit”, shtoi Curry.

Nelson u përfshi në Naismith Memorial Basketball Hall of Fame në vitin 2012. Në vitin 2025, ai u nderua gjithashtu me çmimin Chuck Daly për arritjet e tij gjatë gjithë karrierës.

Përveç Milwaukee Bucks, Dallas Mavericks dhe Golden State Warriors, Nelson shërbeu edhe si drejtues i përgjithshëm i të treja skuadrave, duke lënë një gjurmë të rëndësishme në historinë e NBA-së.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT