Ministri i Mbrojtjes viziton ushtarët në kufi, Katz: Trupat izraelite do të qëndrojnë në Siri për sigurinë e shtetit hebre!

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, vizitoi sot trupat izraelite të stacionuara në Sirinë jugore, duke përsëritur vendosmërinë e Izraelit për të mbajtur forcat ushtarake në rajon për sa kohë që vazhdojnë “kërcënimet” për sigurinë e shtetit hebre.

Vizita e Katz erdhi një javë pasi Izraeli bombardoi bazën ajrore Abu Dhuhur në veriperëndim të Sirisë, të cilën Izraeli thotë se kishte për qëllim parandalimin e vendosjes së trupave turke atje. Ankaraja ka hedhur poshtë akuzat izraelite se po përgatitet të vendosë trupa në Siri.

Izraeli ka nisur qindra sulme ajrore kundër Sirisë që nga rënia e Presidentit Bashar al-Assad në dhjetor 2024, kur ai u rrëzua nga një koalicion islamist.

Ai gjithashtu ka vendosur trupa në zonën tampon të mbikëqyrur nga OKB-ja që ndan forcat izraelite dhe siriane në Lartësitë e Golanit, të cilat Izraeli i ka pushtuar që nga viti 1967.

Izraeli pretendon se ka krijuar një “zonë sigurie” atje, të cilën synon ta mbajë.

“Operacionet po kryhen këtu çdo ditë për të penguar kërcënimet, për të eliminuar mbetjet e regjimit të vjetër dhe për të parandaluar konsolidimin e rrezikshëm të pushtetit të ri”, tha Katz në një deklaratë video të lëshuar nga zyra e tij.

“Për sa kohë që ka kërcënime, IDF (Forcat e Armatosura Izraelite) do të qëndrojnë këtu për të garantuar sigurinë tonë: kjo është ajo që kemi bërë deri më tani dhe kjo është ajo që synojmë të vazhdojmë të bëjmë në të ardhmen”, shtoi ai.

“Mesazhi është i qartë edhe për presidentin sirian: kur zgjoheni në mëngjes në pallatin tuaj në Damask, shikoni lart në malin Hermon dhe shihni ushtrinë izraelite, e dini se ne jemi këtu për të mbrojtur komunitetet dhe kufijtë tanë”, theksoi ai.

Lidhur me sulmin në bazën ajrore Abu Duhur, ministri izraelit tha se ushtria “iu përgjigj një përpjekjeje turke për t’u vendosur në Siri, në dëm të interesave të sigurisë së Izraelit”.

Gjatë vizitës së tij te trupat në të njëjtën zonë, kreu i forcave të armatosura izraelite, gjenerali Eyal Zamir, tha se Izraeli nuk do të lejonte që kërcënimet të “vendoseshin” në kufi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT