Mbyllet pelegrinazhi në Tomorr/ Rreth 700 mijë pelegrinë në Malin e Shenjtë, Teqeja akuzon pushtetin vendor

Teqeja e Abaz Aliu në Malin e Tomorrit ka pritur përgjatë një jave rreth 700 mijë pelegrinë, të cilët kanë vizituar Vendin e Mrekullive dhe janë lutur mbi të gjitha për shëndet, mbarësi dhe lumturi në familjet e tyre.
Edhe përse zyrtarisht sipas Kryegjyshatës Bektashiane pelegrinazhi nis në datën 20 Gusht dhe përfundon në datën 25 Gusht, besimtarët shkojnë prej datës 18.
Një javë festë dhe lutje mbyllen sonte, ndërsa nga pjesëmarrja shihet se çdo vit maja e Çukës së Tomorrit në lartësinë 2417 metra ku ndodhet tyrbja simbolike e Abaz Aliut dhe Teqeja e Kulmakut, pelegrinët shtohen.
22 gushti është dita kryesore e festës, ku mijëra besimtarë ngjiten në mal për t’u falur, për të ndezur qirinj tek tyrbja dhe për të bërë kurban (zakonisht një qengj) në shenjë mirësie dhe lutjeje për familjen.
Sot ky pelegrinazh ka karakter ndërkombëtar dhe në të marrin pjesë besimtarë bektashinj, myslimanë, të krishterë, nga gjithë Shqipëria, nga trojet etnike shqiptare, nga diaspora shqiptare dhe nga e gjithë bota.
Mali vetë konsiderohet një vend i shenjtë shumë më i hershëm se bektashizmi, çka e bën historinë e Tomorrit një ndërthurje të traditave të lashta, besimit bektashian dhe kulturës shqiptare. Edhe Naim Frashëri e përjetësoi këtë traditë në veprën e tij, duke e lidhur Abaz Aliun me malin dhe me identitetin shpirtëror shqiptar:
“Abas Aliu zu’ Tomorr,
Erdhi afër nesh,
Shqipëria s’mbet e gjorë,
Se Zoti e desh.”