Maturantët nisin sfidën akademike, hapen 7 fazat 48 orëshe, këtë vit aplikuan afro 900 maturantë

900 maturantë më shumë aplikuan këtë vit në U-albania për sigurimin e një emri fitues në auditor për vijimin e të drejtës së studimit në Universitetet e vendit.

Faza e parë 48 orëshe ka një ecuri të kënaqshme, që për drejtorin e Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj  është tregues i mirë, që parashikon të realizojë një përqindje të lartë të regjistrimeve deri në fund të këtij raundi.

Kemi arritur që vetëm brenda 24 orëve të para të kemi regjistruar mbi 25% të maturantëve. Por duhet të kemi parasysh që të parët janë studentët ekselentë që regjistrohen. Janë ata maturantë të cilët pothuajse kanë fituar çdo degë. Me regjistrimin e këtyre 5 mijë maturantëve, lirohen, pothuajse mund të themi, mbi 4 mijë vende fituese për maturantët që janë në pritje, duke qenë se, mesatarisht, secili prej tyre mund të ketë fituar shtatë ose tetë degë. Kjo bën të mundur që procesi të vijojë në mënyrë të vazhdueshme dhe të shpejtë. Duke qenë se kjo është një periudhë 48-orëshe, bëhet e mundur që sistemi të vijojë në atë modelin kaskadë, duke liruar vendet e fituesve për maturantët në pritje”, tha Xhelaj.

Edhe këtë vit preferencat rendisin mjekësinë si një nga degët prioritare, ndërsa procesi i njeh secilin maturant me lirimin e vendeve që mbeten bosh në kohë reale.

Si gjithmonë, mbeten ato programe kryesore dhe më të kërkuara, të cilat kanë edhe testet e përfshira, si Mjekësia e Përgjithshme, Arkitektura apo degët e Akademisë së Sigurisë dhe të Mbrojtjes, ose qofshin edhe ato të sportit dhe artit”, u shpreh ai.

Pas përfundimit të shtatë fazave të këtij raundi, pas datës 8 shtator do të ketë edhe një periudhë çregjistrimi për maturantët që dëshirojnë të ndryshojnë degën dhe të rikthehen në garë. Për këtë raund pasardhës regjistrimet do të zhvillohen nga 25 shtatori deri më 4 tetor.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT