Makina doli jashtë rruge, vdesin dy 17-vjeçarë në aksident në Itali

Dy 17-vjeçarë kanë humbur jetën në orët e para të mëngjesit në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në rrugën Marscianese, në zonën e Sant’Enea, pranë Peruxhias.
Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnatës, rreth orës 00:15, ndërsa të rinjtë po udhëtonin me një Mercedes Class A, të drejtuar nga një 18-vjeçar. Në automjet ndodheshin edhe tre të rinj të tjerë, të moshave 17 dhe 18 vjeç.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, automjeti po përshkonte një kthesë në zonën e Sant’Enea kur, për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar, drejtuesi humbi kontrollin. Makina doli nga rruga dhe u përmbys disa herë, duke goditur fillimisht një tabelë rrugore dhe më pas murin e një banese.
Dy viktimat ndodheshin në sediljet e pasme dhe, sipas informacioneve të para. Të dy ishin banorë të zonës San Martino in Colle. Përpjekjet për t’i shpëtuar nuk dhanë rezultat dhe dy të rinjtë humbën jetën në vendngjarje.
Në vendin e aksidentit ndërhynë tre patrulla të Policisë Bashkiake, nën drejtimin e Nicoletta Caponit, së bashku me zjarrfikësit, karabinierët, ekipet e urgjencës 118 dhe helikopterin e shpëtimit. Tre të rinjtë e tjerë që ndodheshin në automjet u transportuan në spitalin Santa Maria della Misericordia në Peruxhia.
Policia lokale ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit dhe rrethanat që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit.