Kina synon ta rrisë në 50 % prodhimin e energjisë elektrike nga burime jofosile deri më 2030

Kina synon të rrisë përpjesëtimin e energjisë elektrike të prodhuar nga burime jofosile në 50 % deri në vitin 2030, sipas një plani kombëtar të publikuar së fundmi mbi zhvillimin e sektorit të energjisë elektrike të vendit për periudhën 2026-2030.
Sipas planit, Kina synon të mundësojë integrimin në nivel të lartë të më shumë se 2.8 miliardë kilovatëve kapacitet të energjisë së re në rrjetin e energjisë elektrike dhe të ndërtojë një rrjet infrastrukture ngarkimi të aftë t’u shërbejë mbi 110 milionë automjeteve elektrike deri në vitin 2030.
Për të arritur këto qëllime, plani përshkruan një sërë përparësish, duke përfshirë zgjerimin e furnizimit me energji të gjelbër dhe me karbon të ulët, ndërtimin e një rrjeti energjetik më të koordinuar dhe elastik, rritjen e elasticitetit të sistemit të energjisë elektrike, përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, nxitjen e reformave të sektorit të energjisë elektrike të orientuara drejt tregut dhe promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar
Plani kërkon balancimin e zhvillimit të energjisë së rinovueshme me integrimin e rrjetit, nxitjen e projekteve të hidrocentraleve konvencionale në mënyrë shkencore, promovimin e zhvillimit të sigurt e të rregullt të energjisë bërthamore, inkurajimin e zhvillimit të larmishëm të burimeve të energjisë jofosile, si edhe përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e lëshimit të karbonit gjatë prodhimit të energjisë me qymyr.
Deri në vitin 2030, Kina planifikon ta shtojë kapacitetin e instaluar të hidrocentraleve konvencionale në rreth 410 milionë kilovatë, kapacitetin e energjisë bërthamore në rreth 110 milionë kilovatë dhe kapacitetin e kombinuar të instaluar të energjisë së biomasës, energjisë diellore termike, gjeotermale dhe oqeanike në afërsisht 65 milionë kilovatë.
Sipas të dhënave zyrtare të mëparshme, energjia nga qymyri përbënte 49.7 % të prodhimit total të energjisë elektrike në Kinë në gjysmën e parë të vitit 2026, duke shënuar herën e parë që pjesa e saj ka rënë nën 50 % dhe duke prëbërë një moment të ri historik në kalimin e vendit drejt një sistemi energjie të gjelbër dhe me karbon të ulët.