Kina dhe Ekuadori intensifikojnë bashkëpunimin

Presidenti i Kinës Xi Jinping u takua të martën pasdite në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me presidentin e Ekuadorit Daniel Roy-Gilchrist Noboa Azín, i cili ndodhet në Kinë për një vizitë shtetërore.
Xi vuri në dukje se ky vit shënon 10-vjetorin e krijimit të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Ekuador. Pavarësisht ndryshimeve në situatën ndërkombëtare, Kina i ka parë gjithmonë marrëdhëniet me Ekuadorin nga një perspektivë strategjike e afatgjatë dhe është e gatshme të punojë me këtë vend të Amerikës Jugore për t’i ngritur marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri, në dobi të popujve të të dy vendeve.
Përparimi i marrëdhënieve Kinë-Ekuador pasqyron si përfitimet e marrëveshjes së tregtisë së lirë, ashtu edhe potencialin e madh të tregut kinez, vuri në dukje kreu i shtetit i Kinës. Të dyja palët duhet të forcojnë koordinimin e strategjive të zhvillimit, të zbatojnë planet e bashkëpunimit në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” dhe të çojnë përpara projektet në fusha si energjetika, industria minerare, infrastruktura dhe financa.
Xi propozoi gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e reja, si ekonomia digjitale, zhvillimi i gjelbër, energjia e re dhe inteligjenca artificiale, si edhe shfrytëzimin më të mirë të potencialit të marrëveshjes së tregtisë së lirë, në mënyrë që prej saj të përfitojnë më shumë kompani dhe konsumatorë.
Nga ana e tij, presidenti Noboa tha se Kina është një vend partner e mik i rëndësishëm i Ekuadorit .Marrëdhëniet dypalëshe kanë hyrë në një fazë të re, duke sjellë përfitime konkrete për të dy popujt. Pala ekuadoriane është e gatshme të thellojë besimin e ndërsjellë politik me palën kineze, të mbështesë përpjekjet e saj për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe të respektojë qëndrimin e Kinës për çështjen e Tajvanit.
Ekuadori i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit me Kinën dhe është i gatshëm të zgjerojë bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë në fusha si ekonomia e tregtia, financat, industria minerare, energjia e rinovueshme, shkenca e teknologjia dhe kultura.
Të dy presidentët shkëmbyen edhe mendime mbi situatën në Amerikën Latine dhe Karaibe.
Xi theksoi që Kina ka mbajtur vazhdimisht qëndrimin se statusi i rajonit si zonë paqeje nuk duhet të cenohet, rruga e zhvillimit dhe e rigjallërimit të vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve nuk duhet të pengohet dhe në të drejtën e tyre për të zgjedhur në mënyrë të pavarur partnerët e bashkëpunimit nuk duhet të ndërhyhet.
Noboa u shpreh që Ekuadori i kushton rëndësi të madhe qëndrimit dhe rolit të Kinës dhe është i gatshëm të mbetet gjithmonë një mik i mirë i Kinës në anën tjetër të Oqeanit Paqësor
Pas bisedimeve, u nënshkruan disa dokumente të bashkëpunimit në fusha si industria e gjelbër, ekonomia e tregtia, ekonomia digjitale dhe mirëqenia sociale