“Keni armiq që”- Ish-kongresmeni amerikan jep mesazh të fortë në Prishtinë: Do të jeni në telashe të mëdha nëse nuk zgjidhni Presidentin!

Ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi ka deklaruar se Kosova duhet ta ketë sa më shpejt një president.
Ai deklaroi në Prishtinë se kriza politike po e vendos Kosovën në një situatë të vështirë.
“Jam këtu, siç e dini, për t’u siguruar që ju të keni një president. Dhe shpresoj që kjo të ndodhë para se unë të largohem. Nëse nuk ndodh para se të largohem, do të jeni në telashe të mëdha, sepse keni armiq që tashmë janë gati të prishin ekuilibrin në Ballkan. Ndaj është e rëndësishme që erdha me zërin tim të lartë për të zgjuar popullin shqiptar. Nuk është koha për të fjetur gjumë, sepse njerëzit janë gati t’ju marrin atë që keni. Më vjen keq ta them këtë, por mund ta shihni vetë”, tha ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi.
Deklarata e Joe DioGuardit u bë këtë të hënë në Prishtinë, ku ai dhe bashkëshortja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, morën shtetësinë e Kosovës.
Pasaportat e Republikës së Kosovës iu dorëzuan Joe DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pasi më herët u ishte dorëzuar edhe dekreti për shtetësinë e Kosovës.