Kanosi policët që kërkonin vëllain e tij, arrestohet 41-vjeçari në Elbasan

Një 41-vjeçar është arrestuar në Elbasan pasi dyshohet se ka kanosur me një armë të dyshuar manovër katër punonjës të Forcës Operacionale.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Visarion Xhuvani”, gjatë kontrolleve për kapjen e vëllait të tij, i cili është shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje.
Gjatë ndërhyrjes, policia sekuestroi sendin e ngjashëm me armën e zjarrit, ndërsa kontrollet për kapjen e vëllait të tij vijojnë ende.
Njoftimi i Policisë:
Kanosi me armë të dyshuar manovër, punonjësit e Policisë të angazhuar për kapjen e vëllait të tij (shtetas në kërkim), arrestohet 41-vjeçari.
Sekuestrohet sendi i ngjashëm me armën e zjarrit.
Specialistët e Hetimit të Krimeve të DVP Elbasan, në bashkëpunim me oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, arrestuan në flagrancë shtetasin B. B.(Ç.), 41 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas, në lagjen “Visarion Xhuvani”, ka kanosur me armë të dyshuar manovër, 4 punonjës të Forcës Operacionale të DVP Elbasan, gjatë kryerjes së kontrolleve dhe veprimeve operacionale të tjera, për kapjen e vëllait të 41-vjeçarit, shtetasit B. B., që është në kërkim për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ndërkaq, vijojnë intensivisht kontrollet për kapjen e shtetasit B. B..
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për shtetasin B. B.(Ç.), për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.