“Ka zbatuar reformat dhe përmbushur kriteret”- Plani i Rritjes, Shqipëria e para për fondet nga BE! Ngecin Kosova, Serbia e Bosnja

Shqipëria vijon të përparojë drejt integrimit në BE jo vetëm me letra, por edhe në përfitim fondesh nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke u bërë ‘lokomotiva’ e vendeve të rajonit.

Dhe të gjithë duan integrim, por miliardat e eurove nga BE, kanë zbuluar një Ballkan Perëndimor që ecën në dy kahe. Nga 6 vende aspirante për në BE, vetëm 3 kanë arritur të përfitojnë nga Plani i Rritjes bazuar tek përmbushja e reformave.

Në një artikull nga Euractiv, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut vlerësohen si vendet që falë stabilitetit te politikës së brendshme, ia kanë dalë të shfrytëzojnë mekanizmin duke përfituar miliarda dollarë.

Shqipëria, e cila mbetet lidere në rajon për këto fonde, me 212 milionë dollarë për përfituara deri në vitin maj 2026, vlerësohet si një vend me politikë tepër të polarizuar, por falë shumicës qeverisëse të stabilizuar ka arritur të zbatojë reformat e të përmbushë kritere.

Mali i Zi, pretendenti i parë për tu anëtarësuar në BE, që ka përfituar deri tani vetëm 91 milionë euro, vlerësohet për kompromiset e brendshme politike, por problemi me këto vende është hendeku mes progresit të deklaruar dhe atij të veritifikueshëm nga BE, sidomos në fushat kritike si drejtësia dhe sundimi i ligjit.

Kurse Maqedonia e Veriut, ka ecur para duke përfituar 141 milionë euro, por ngërçi me ndryshimet kushtetuese i ka vendosur në pikëpyetje avancimin e negociatave me BE. Nga ana tjetër, 3 vende, Kosova, Serbia dhe Bosnja e Herzegovina, krizat politike i ka bllokuar fondet e BE.

Kosova merret si shembulli kryesor. Kriza e brendshme politike 18-mujore me zgjedhje të njëpasnjëshme, mungesën e konsensusit politik dhe boshllëkun e një qeverie funksionale, ka bërë që Prishtina Zyrtare të përfitojë vetëm 61 milionë euro ndërsa është paralajmëruar nga BE se kohëzgjatja e krizës rrezikon të djegë fondet e parashikuara për Kosovën.

Bosnja e Herzegovina nuk ka realizuar asnjë reformë, po prej krizës së brendshme politike, dhe prej fillimit të Planit të Rritjes nuk ka përfituar asnjë euro.

Kurse Serbia, me një shumicë qeverisëse komode, është në shënjestrën e BE për shkak problemeve me sistemin gjyqësor. BE i ka kërkuar llogari për rrugën europiane të Serbisë, por deri në momentin kur politikat e Presidentit Vuçiç nuk përputhen kërkesat e Brukselit, fondet janë pezulluar pa afat, ndonëse Serbia renditet e dyta pas Shqipërisë që ka përfituar më shumë fonde deri në maj të 2026, 168 milion euro.

Të gjitha vendet nuk kanë shumë kohë, Plani i Rritjes përfundon zyrtarisht në dhjetor 2027. Paketa totale përmban 6 miliardë euro. Shqipëria e cila ka përfituar më shumë nga të gjitha vendet, ka arritur të thithë vetëm 23% të fondeve të parashikuara nga 922 milionë euro në total, kurse Kosova vetëm 7%. Për vendet që kanë mbetur pas dhe nuk dalin dot prej krizave të brendshme politike, fondet rrezikojnë të digjen përfundimisht.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT