Hotele me 5 yje dhe dieta deri në 150 euro në ditë, zbardhen rregullat e reja të Qeverisë për shpenzimet e zyrtarëve të lartë! Biletat i pret…

Qeveria ka përditësuar, përmes një vendimi të ri, rregullat për shpenzimet e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe punonjësve të administratës publike gjatë shërbimeve jashtë vendit.

Ky është dokumenti i rregullores së re, hyrë në fuqi në fund të korrikut dhe përcakton në mënyrë të detajuar kriteret për udhëtimin, akomodimin dhe dietat ditore.

Sipas rregullores, Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit, Zëvendëskryeministri dhe ministrat do të akomodohen në hotele me pesë yje.

Deputetët, sekretarët e përgjithshëm të ministrive dhe drejtorët e përgjithshëm do të qëndrojnë në hotele me katër yje, ndërsa punonjësit e tjerë të administratës publike do të akomodohen në hotele me tre yje.

Për arsye sigurie, efektivët e Gardës së Republikës që shoqërojnë personalitetet shtetërore mund të akomodohen në të njëjtin hotel me personin që ruajnë, pavarësisht kategorisë së hotelit.

Vendimi përcakton gjithashtu edhe masën e dietave ditore për udhëtimet jashtë vendit. Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit përfitojnë një dietë nga 120 deri në 150 euro në ditë. Për ministrat dhe Zëvendëskryeministrin, dieta varion nga 80 deri në 120 euro në ditë.

Deputetët, zëvendësministrat dhe sekretarët e përgjithshëm përfitojnë 70–80 euro në ditë, ndërsa drejtorët e përgjithshëm dhe ambasadorët 50–60 euro. Për nëpunësit e tjerë të administratës, dieta ditore është përcaktuar në masën 45–55 euro. Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën e pagesës së shpenzimeve.

Biletat e udhëtimit dhe akomodimi në hotel do të rezervohen dhe paguhen drejtpërdrejt nga institucioni përkatës. Ndërkohë, zyrtarëve do t’u transferohet në llogarinë bankare, përpara nisjes, vetëm shuma e parashikuar për shpenzimet ditore.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT